Aktualitet

Primaret për zgjedhjet e 6 Marsit, Berisha: “Fund praktikës autoritare!”

Sot në një takim me demokratët e Vaut të Dejës, Sali Berisha deklaroi se “Kandidatët e Komisionit të Rithemelimit në Partinë Demokratike për zgjedhjet e pjesshme lokale te 6 marsit do të dalin nga primaret”. Sipas ish-kryeministrit, në këtë mënyrë merr fund ajo që e quan “praktikë korruptive e autoritare”.

Sot demokratët e qytetarët me primare zgjedhin me votën e lirë kandidatin apo kandidaten për qytetar/e të parë. Kjo është arritje e madhe, që e premtuam më herët. Primaret janë metoda më demokratike e zgjedhjes së përfaqësuesve të qytetarëve. Ju, me votën tuaj do zgjidhni edhe këshilltarët e bashkive, deputetët tuaj e në të ardhmen e afërt, edhe kryeministrin tuaj!

Do të marrë fund praktika korruptive e autoritare! Kështu merr fund praktika e emërimeve nga lart, e zarfeve dhe e pakove me euro për të fituar emërimin, që do jetë vetëm atribut i vullnetit të lirë qytetar. Partia Socialiste nuk ka bërë asnjë votim të lirë që nga viti 2009.

Më herët gjatë ditës, Arben Ristani tha se “kandidatët e Komisionit të Rithemelimit që do të votohen nga anëtarët e Partisë Demokratike do të mbështeten nga një koalicion partish në zgjedhjet e 6 marsit”. Nga Vora, anëtari i këtij Komisioni u shpreh se “këto primare janë historike për Shqipërinë”.

Kandidatët e Bravës janë të pallogaritshëm në këto zgjedhje. Një votim normal e më në fund, për herë të parë në Shqipëri dhe në partitë politike shqiptare kemi primare, për të zgjedhur kandidatët për bashkitë, të mbështetur nga një koalicion partish.

Komisioni i Rithemelimit në PD po zgjedh me primare kandidatët për 6 bashkitë ku më 6 mars do të ketë votime të pjesshme. Prej mëngjesit votohet në Durrës, Vorë, Rrogozhinë, Shkodër, Dibër, Lushnjë nga ku pritet të dalin emrat. Në njoftimin e Komisionit, thuhet se janë 9 qendra votimi: 3 në Shkodër, 2 në Durrës e nga 1 në Dibër, Lushnjë, Rrogozhinë dhe Vorë.

Grupi i ish-kryeministrit Sali Berisha ka ftuar anëtarët e PD, të bëhen pjesë procesit të votimit në primare, “si ushtrim i demokracisë, si proces përbashkues, për një Parti Demokratike më të fortë”. Ndërkaq, ende mbetet e paqartë si do të regjistrohet grupimi pro-Berishës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kur nesër është afati i fundit.