Bota

Protestat kundër reformës së pensioneve, mbreti Çarls anulon vizitën në Francë!

Protestat në Francë kundër reformës së pensioneve që kërkohet nga presidenti francez, Emmanuel Macron dhe trazirat në të gjithë vendin kanë çuar në shtyrjen e vizitës së mbretit të Anglisë, Çarlsi i Tretë. Trafiku u ngadalësua në disa zona, linjat e kamionëve bllokuan hyrjen në portin tregtar të Marsejës e në rrugët e Parisit, ende janë të dukshme pasojat e protestave masive të një dite më parë.

Në pritje të vazhdimit të protestës, Autoriteti Francez i Aviacionit Civil kërkoi anulimin e një të tretës së fluturimeve të dielën në aeroportin Orly në Paris dhe gjithashtu një e pesta e fluturimeve do të anulohet të hënën e 27 marsit.

Më shumë se 450 protestues u arrestuan dje gjatë manifestimeve në Paris, si dhe në të tjera qytete, ku morën pjesë më shumë se një milion njerëz. Ministri i Brendshëm francez, Gerald Darmanin njoftoi sot se 441 policë u plagosën në dhunën që shpërtheu nga protestat e mbrëmshme.

Sondazhet tregojnë se shumica e francezëve kundërshtojnë ligjin e propozuar të shefit të Elizesë, Macron për të rritur moshën e pensionit nga 62 në 64-vjeç. Autoritetet franceze thonë se është i nevojshëm për të mbajtur sistemin në këmbë.

Në mes të këtij muaji, kryeministrja franceze, Elizabeth Bourne, përdori një procedurë të veçantë për të miratuar këtë projektligj, pa votim në parlament. Zyra e presidentit Emmanuel Macron njoftoi se vizita e mbretit Çarls është shtyrë.

Sindikatat bënë thirrje për protesta dhe greva të martën e 28 marsit, ditën kur mbreti Çarls III do të vizitonte Bordonë. Dyert e asamblesë lokale në këtë qytet u shkatërruan nga zjarri i ndezur nga protestuesit. Kryetari i bashkisë së Bordosë, Pierre Hurmic, tha sot se për të është e vështirë të kuptojë akte të tilla vandalizmi.

Protestat në Francë kanë tërhequr mbështetje nga jashtë vendit. Dje në Greqi, qindra protestues u mblodhën jashtë ambasadës franceze në Athinë, për të treguar solidaritet.