Celebrities Film & Tv

Pse u zgjodhën këto çifte dhe dashuria e tillë? Regjisori zbulon më shumë në “Në kuadër të xhirimeve”!

Premiera e filmit “Në kuadër të dashurisë”, i pari prodhim i Top Channel Films mbajtur më datë 9 Tetor në Pallatin e Kongreseve bëri bashkë personazhe të njohur të ekranit shqiptar. Filmi me protagonist kryesor, Luiz Ejllin dhe Olta Gixharin u prit mes emocioneve të shumta, ku një numër i madh njerëzish iu bashkuan pritjes në tapetin e kuq.

E që nga ajo ditë, filmi më i komentuar dhe më i shumëpritur nga publiku nuk ndalet. Por përveç produktit final, kurioziteti është gjithashtu shumë i madh dhe për prapaskenat e filmit, xhirimet, momentet e vështira apo të bukura të kastit gjatë realizimit të “Në kuadër të dashurisë”, apo dhe marrëdhëniet mes tyre.

“Në Kuadër të  Xhirimeve” sigurisht që zbuloi detaje, ndjenja, emocione dhe momente ekskluzive nga i gjithë kasti.

Koloreto Cukali: Roerdi është ndoshta një aktor jo shumë i njohur në masë të gjerë për publikun, është i vlerësuar shumë në teatër. Në audicion Roerdi ishte absolutisht më i miri dukej sikur ishte i prerë për të luajtur këtë personazh.

Roerd Toçe: Koloreto ka dashur një person që e ka pasur në mendje më parë dhe më tregoi disa foto të një miku të tij që i kujtonte Kledin. I përafrohesha imazhit fizikisht, kanë qenë disa të përafërta që unë me Kolon kishim, i kuptonte ato që unë thoja dhe unë ia kuptoja atë humorin fin dhe të hollë që ai ka dhe ishte puna më e thjeshtë për t’u bërë në set.

Koloreto Cukali: Ne kemi ndërtuar dy linja kryesore në film, me idenë që t’i përshtatemi niveleve të dashurisë. Kemi linjën e dashurisë së ngopur dhe deri diku të lodhur, një dashuri që është në ezaurim (çifti Luiz-Olta) dhe dashuria tjetër është ajo që lind dhe atëherë kur njerëzit nuk janë të vëmendshëm (çifti Sara-Roerd). Menduam që të kapnim edhe grupmosha të ndryshme. 

Olsi Abazi: Të gjitha këto bashkë, vijnë në një element që është shumë shqiptar, ai familjar.