Aktualitet Rajoni

Rama: Mbështes qeverinë e Kosovës për zbatimin e vendimit për Manastirin e Deçanit!

Kryeministri Rama përshëndeti vendimin e qeverisë së Kosovës për regjistrimin e pronave për Manastirin e Deçanit. Në një postim, Rama e inkurajon lidershipin të vazhdojë të punojë me aleatët tanë të përbashkët për të demonstruar se Kosova është partner i besueshëm. Në postimin e tij, kryeministri Rama shkruan:

Unë mbështes plotësisht vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me Manastirin e Deçanit, më mirë vonë se kurrë. E inkurajoj lidershipin e Kosovës që të vazhdojë të punojë me aleatët tanë të përbashkët kyç për të demonstruar se Republika e Kosovës është me të vërtetë një partner i rritur i besueshëm i Komunitetit Euro-Atlantik.

Kryeministri Albin Kurti tha se Agjencisë Kadastrale të Kosovës, qeveria e tij i kërkoi të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2016 për tokën e Manastirit të Deçanit. Sot në mbledhjen e Ekzekutivit, shefi i qeverisë theksoi se “zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese që kërkon kalimin e 24 hektarëve tokë te Manastiri i Deçanit do të ishte vendimtar për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës”, ndërsa muajin e ardhshëm mbahen punimet e Asamblesë Parlamentare të këtij institucioni.

Më herët këtë muaj, Radio Evropa e Lirë raportoi se Qeveria e Kosovës priste që pushteti lokal në Deçan, komunë në pjesën perëndimore të vendit, të zbatonte vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Por, komuna e Deçanit që gjatë gjithë këtyre viteve e kundërshtoi zbatimin e këtij vendimi, thotë se nuk ka ndryshuar qëndrim.

Kjo komunë drejtohet nga zyrtarë të partisë opozitare të Ramush Haradinajt, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Në një prononcim po për Radion Evropa e Lirë më 6 mars, kryekomunari i Deçanit, Bashkim Ramosaj tha se deklaratat e tij për këtë çështje janë publike dhe se nuk dëshiron të shtojë asgjë më shumë.

I pyetur se çfarë do të ndodhte nëse qeveria e Kosovës do të kërkonte zbatimin e vendimit, ai deklaroi se nuk beson që qeveria do ta kërkojë një gjë të tillë.

Autoritetet lokale refuzojnë që Manastirit të Deçanit t’ia regjistrojnë në kadastër 24 hektarë tokë dhe pyll sepse konsiderojnë se kjo pronë është e ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” e “Iliria” dhe se nuk ka qenë kurrë e Manastirit.

Sipas tyre, Gjykata Kushtetuese ka “legalizuar” një vendim të vitit 1997 të ish-presidentit të Republikës Federale të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviç, me të cilin ajo pronë iu dhurua Manastirit të Deçanit.

Deri më tani, këtë qëndrim të pushtetit vendor e përkrahën edhe zyrtarë të lartë të Kosovës, përfshirë kryeministrin Albin Kurti e presidenten Vjosa Osmani, për të cilët ky vendim i Gjykatës Kushtetuese “bazohet në politikën diskriminuese të Qeverisë së Serbisë të viteve ‘90”.