Aktualitet Politikë

Raporti i DASH për korrupsionin, Rama: ‘Copy-Paste’ i një viti më parë!

Kryeministri Edi Rama u ka kthyer një përgjigje të gjithë akuzave që kanë ardhur nga opozita se raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, (DASH) se konfirmoi se korrupsioni është i përhapur në të gjithë degët e qeverisë. Në një reagim të shkurtër, Rama thotë se ky raport është i njëjtë me atë të një viti më parë, e që sipas tij nuk i reflekton as vetë arritjet e DASH i ka thënë gjatë vitit. Ajo që nuk kalohet pa u vënë re është etiketimi që Rama bën për opozitën, duke i quajtur ” opozitëra”, nisur nga fakti që PD-ja tani është e përçarë.

“Paska plasur peshku për një raport vjetor të DASH se Amerika na paska thënë më në fund ato që opozitërat paskan thënë që në fillim!Kush e lexon çdo vit këtë raport e di që është aq shumë copy-paste i vitit më parë sa nuk figurojnë as arritjet që DASH i ka thënë vetë gjatë vitit”, shkruan Rama.

Edhe për vitin 2021, korrupsioni dhe pandëshkueshmëria u raportuan si problemet kyçe në raportin vjetor të DASH për Shqipërinë. Lidhur me këtë raporton, reagime pati edhe nga kryetari i Komanduar i PD Enkelejd Alibeaj, sipas të cilit, konfirmoi atë që selia blu e thotë prej vitesh, që korrupsioni është i përhapur në të gjitha degët e qeverisë. Për raportin e DASH reagoi edhe deputeti i Rithemelimit Flamur Noka, i cili u bëri thirrje shqiptarëve të bëhen bashkë për të shporrur qeverinë e korruptuar të Edi Ramës.