Celebrities Live From Tirana Music Showbiz

Reperi i njohur Big Basta rrëfehet ekskluzivisht në TAR për rikthimin e tij në Shqipëri, projektet e reja muzikore dhe jo vetëm!

Sot në emisionin “Live from Tirana” ishte i ftuar këngëtari i njohur Big Basta. Në kulmin e karrierës së tij këngëtari vendosi të largohej në Zelandën e Re së bashku me familjen e tij, këngëtaren Vesa Luma dhe djalin e tyre. Përse kjo zgjedhje e këngëtarit?

Doja të isha aty ku fillon bota. Ne që të vegjël jemi përpunuar për t’u larguar nga Shqipëria, që kur mesojmë gjuhët e huaja. Nuk na ka përgatitur njeri për të ndejtur në Shqipëri. E kuptova duke qëndruar andej se sa e rëndësishme ishte Shqipëria. Në Zelandën e Re kanë një politikë të jashtëzakonshme, të thonë që do ta duash shumë vendlindjen tënde. Ne si popull kemi të mirat dhe të këqijat tona si çdo popull tjetër. Unë u riktheva dhe së bashku me Vesën kemi vendosur të rrisim pasionin tonë sa i përket muzikës si dhe duam që djali të perfeksionojë gjuhën shqipe. Të rrijë me gjyshërit dhe njerëzit e tij të afërm.

Rikthimi në Shqipëri, a ka ndryshuar diçka në vend për Big Basta-n?

Jemi viti 2023, Shqipëria është vend i bukur. Unë jam repist dhe repistat duhet të jenë opozitar të përherhëshëm. Shqipëria i përshtatet çdolloj brezi.

Big Basta ka sjellë një këngë me Renis Gjokën të titulluar “Një hap përpara” e cila bëri bujë me fjalët emocionuese të reperit në këng ku “dënonte” politikën e ashpër në Shqipëri. A identifikohet Big Basta si një reper që i këndon ‘halleve’ të shqiptarëve?

Mendoj se edhe në dekadat në vazhdim prapë do të ketë vlerë çdo gërmë e këngëve të mia. Shpesh kam bërë edhe këng që janë komerciale, nuk i kam shijuar në maksimum, shijoj kur bëj vargje të vërteta. E shoh veten shumë mirë të pozicionuar në këtë zhaner, më jep jetëgjatësi. Sa më e vjetër bëhet vera aq më e shijshme bëhet, të njëjtën gjë dua edhe unë me këngët e mia. 

Si ka ndryshuar tregu muzikor në Shqipëri sipas artistit?

Në tërësi ka ndryshuar shumë. Tani ka rrallë artiste të zhanrit rrok. Hip Hopi ka fituar si kulturë, është e përhapur në Shqipëri. Ka artistë të mirë por ka edhe kalimtarë. Nga ana cilësore është shumë lartë. Një nga të preferuarit e mi është Lyrical Son. Ka edhe të tjerë, ka aristë të rinj që janë shumë të mirë. Po ecin me hapat e duhur.