Aktualitet Sociale

Sa pak na vlen paraja, familjet shqiptare me të ardhurat më të ulëta në Europë sipas fuqisë blerëse!

Ndonëse vendi ka shënuar rritje të kënaqshme vitet e fundit, të ardhurat e familjeve shqiptarë janë të pamjaftueshme për të përballuar një jetesë normale në krahasim me shtetet e tjera të Europës, madje dhe rajonit. Përveçse janë të ulëta, të ardhurat zhvlerësohen edhe më tej nga çmimet e larta.

Eurostat publikoi treguesin e të ardhurave të disponueshme, të ekuivalentuara për anëtar të një familjeje. Ato tregojnë të ardhurat totale të një familjeje pas taksave që janë në dispozicion për shpenzim ose kursim, pjesëtuar me numrin e anëtarëve të familjes të konvertuar në të rritur.

Ky tregues matet sipas standardit të barazisë së fuqisë blerëse ose PPS (purchasing power standard). Teorikisht, një PPS mund të blejë të njëjtën sasi mallrash dhe shërbimesh në çdo vend.

Shqipëria e kishte treguesin e të ardhurave mediane të disponueshme në vitin 2020 (viti më i fundit kur të ardhurat janë të disponueshme) në 4,358, më i ulëti në Europë (të dhënat për Kosovën dhe Bosnjë Hercegovimën mungojnë). Treguesi median nënkupton që gjysma kanë më shumë se 4358 PPS e gjysma më pak.

Në krahasim me medianën europiane, po në të njëjtin vit (17,926 PPS), një anëtar i një familjeje shqiptare ka në dispozicion vetëm 24% të të ardhurave. Si rrjedhojë, fuqia blerëse e një familjeje shqiptare është katër herë më e ulët se e mesatares europiane.

Ndonëse të ardhurat për frymë janë sa 32% e mesatares europiane, kur krahasimi bëhet sipas fuqisë blerëse, treguesi ulet në 23%, si rrjedhojë e faktit që në pjesën më të madhe, çmimet janë njëlloj me vendet e BE-së (sidomos në supermarkete), ndërsa të ardhurat shumë më të ulëta.

Në krahasim me Gjermaninë, fuqia blerëse është 5.5 herë më e ulët, me Italinë 4 herë më pak, me Greqinë 2.3 herë.

E dyta më e ulët pas Shqipërisë, për të ardhura mediane të disponueshme, renditet Maqedonia e Veriut (5,988 PPS), më pas Turqia (6,210 PPS), Mali i Zi (6,328), Serbia (6,968 PPS).

Europa

Sipas Eurostat-it, në vitin 2022, të ardhurat mesatare të ekuivalentuara të disponueshme në BE ishin 18 706 standarde të fuqisë blerëse (PPS) për banor, duke u rritur nga 18 011 PPS të regjistruara në vitin 2021.

Në nivel kombëtar, vendet e BE-së me të ardhurat mesatare më të larta të disponueshme në vitin 2022 ishin Luksemburgu (33 214 PPS), Holanda (25 437 PPS), Austria (25 119 PPS), Belgjika (24 142 PPS), Danimarka (23 244) PPS) dhe Gjermania (23 197 PPS).

Në të kundërt, Bullgaria (9 671 PPS), Sllovakia (9 826 PPS), Rumania (10 033 PPS), Hungaria (10 217 PPS) dhe Greqia (10 841 PPS) raportuan vlerat më të ulëta.

Të ardhurat mesatare të disponueshme të ekuivalizuara, të shprehura në PPS, marrin për bazë shpërndarjen e të ardhurave, si dhe madhësinë e përbërjen e familjes. Njësia PPS merr në konsideratë variacionet e nivelit të çmimeve, duke siguruar që të dhënat të jenë të krahasueshme midis vendeve./Monitor