Aktualitet Rajoni

Samiti i BERZH në Londër, Kurti përplaset me kryeministren serbe Brnabic!

Në samitin e Ballkanit Perëndimor të organizuar nga BERZH në Londër pati një përplasje mes dy kryeministrave Albin Kurti dhe homologes serbe Ana Brnabic. Ka qenë kjo e fundit fillimisht e cila i është referuar Kosovës, si “krahina autonome e Kosovës e Metohisë”.

“Serbia po ndryshon. Dhe kur them Serbia qendrore, është e dyta herë që po e them këtë, mendoj Serbia që nuk përfshin në statistika krahinën autonome të Kosovës e Metohisë, që ne natyrisht e shohim si pjesë të Serbisë. Kjo është politikë, ne tani po flasim për ekonomi dhe është me rëndësi për mua të flas vetëm për ekonominë”, tha ajo.

I pyetur sesi Prishtina zyrtare tregton me vendet që nuk e njohin, Kurti i është përgjigjur menjëherë kryeministres Brnabic duke i kujtuar se kur bëhet fjalë për Kosovëm, flitet për një shtet të pavarur dhe kjo krahinë autonome.

“Pikë së pari, partneri ynë kyç është bashkësia europiane dhe dëshirojmë që ta fuqizojmë këtë bashkëpunim. Kosova është njohur nga 117 vende anë e mbanë botës, 22 nga 27 në Europë, 26 nga 30 në NATO dhe 3 nga 4 vendet fqinje. Nuk kemi lidhje me Federatën Ruse.

Iu kemi vënë sanksione atyre dhe duam që Ukraina ta fitojë këtë luftë. Na duhet bota dhe Europa demokratike që ta shohim të mposhtur Kremlinin dhe kryetarin despotik, Putin. Edhe nëse ata do të donin, ne nuk do të donim të kishim punë me ta. Kemi pak import me Kinën, por bashkëpunojmë kryesisht me BE-në”, tha Kurti.

Kurti shtoi se nëse do të vijonte argumentin e tij njësoj si Brnabic, atëherë do të liste edhe për Vojvodinën, Sanxhakun apo Luginën e Preshevës, territore shqiptare brenda republikës së Serbisë.

“Vendi im quhet Republika e Kosovës, jo siç iu referua këtu, ‘Kosova e Metohija’. Po të shkoja kësaj rruge do të merrja shumë kohë, sepse përveçse Serbia, do të duhej të thosha Serbia e Vojvodina, Sanxhaku, Toplica, Rashka, Lugina e Preshevës… Më mirë të përqendrohemi në ekonomi”, tha Kurti.