Rajoni

Shpallet antikushtetues mohimi i gjenocidit në Republikën Srpska të Bosnjes!

Gjykata Kushtetuese e Bosnje-Hercegovinës shpall antikushtetues ligjin “Për moszbatimin e Vendimit në Republika Srpska”, që i referohet mohimit të gjenocidit në Srebrenicë e nderimit të kriminelëve të luftës. Vendimi u mor në bazë të kërkesës për vlerësimin e kushtetueshmërisë së atij ligji, të dërguar nga shtatë delegatë në Këshillin e Popujve të Republika Sërpskas.

Gjykata Kushtetuese udhëhiqet nga praktika e mëparshme në disa raste të ngjashme, sepse përfaqësuesi i lartë ka vepruar si institucion legjislativ, duke zëvendësuar autoritetin kompetent, që në këtë rast është Asambleja Parlamentare e Bosnjes.

Delegatët e paraqitën ankesën në Gjykatën Kushtetuese të Bosnjes, pasi Gjykata Kushtetuese e Republikës Sërpska hodhi poshtë veton e Klubit Boshnjak në Këshillin e Popujve të RS-së, për ligjin e miratuar në shtator të vitit të kaluar. Në atë kohë, Këshilli për Mbrojtjen e Interesit Jetësor Kombëtar pranë Gjykatës Kushtetuese vlerësoi se ligji nuk cënonte interesin kombëtar të popullit boshnjak. Në korrik të vitit të kaluar, Asambleja Kombëtare e RS-së miratoi ligjin për moszbatimin e ndryshimeve të imponuara në Kodin Penal të Bosnje-Hercegovinës.

Ishte përgjigja e partive politike në RS ndaj vendimit të ish-Përfaqësuesit të Lartë, Valentin Inzko, me të cilin imponoi ndryshime në Kodin Penal të Bosnje-Hercegovinës. U tha që institucionet e RS-së, të mos bashkëpunojnë me organet kompetente të Bosnjes në lidhje me zbatimin e vendimit të përfaqësuesit të lartë. Kjo u pasua nga një bllokadë njëmujore e institucioneve të Bosnjes nga përfaqësues të RS-ë, me një kërkesë për tërheqjen e vendimit të përfaqësuesit të lartë.

Vendimi i Inzkos ndryshoi Nenin 145 të Kodit Penal të Bosnje-Hercegovinës, i cili parashikon një dënim me burg nga gjashtë muaj deri në pesë vjet për këdo që publikisht miraton, mohon, pakëson ose përpiqet të justifikojë gjenocidin, krimet kundër njerëzimit ose krimet e luftës.
Sipas Zyrës së Prokurorit të BeH, rreth 40 kallëzime janë paraqitur kundër qytetarëve dhe zyrtarëve në më pak se një vit nga fillimi i ndalimit të mohimit të gjenocidit.

Deri më tani nuk është ngritur aktakuzë, ndërsa nga Prokuroria thonë se “po punojnë sipas rasteve të konstatuara” dhe se kërkohen kontrolle shtesë për shkak se kallëzimet nuk janë dorëzuar nga institucionet kompetente, por nga individë e organizata joqeveritare. Milorad Dodik, anëtari serb i presidencës së BeH-së, është mes atyre të regjistruar për mohimin e gjenocidit. Më 11 korrik, Srebrenica shënoi 27 vjetorin e gjenocidit të kryer nga forcat serbe në vitin 1995. Ata vranë mbi 8 mijë burra dhe djem myslimanë.

Masakra është cilësuar si mizoria më e rëndë në Europë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa Gjykata Ndërkombëtare e Hagës e ka njohur si gjenocid. Sipas Institutit të Personave të Zhdukur të Bosnjes, mbi 1 mijë e 200 viktima të masakrës së Srebrenicës ende nuk janë gjetur.