Health & Beauty

Si të kuptojmë dhe luftojmë ankthin?!

Ankthi, në një mënyrë apo tjetër, është gjithmonë pjesë e jetës sonë. E njohim dhe përballemi me të në çdo moment, kur jemi gati për fluturim, në një debat, apo kur përgatitemi për ndonjë prezantim të rëndësishëm. Ne varemi nga ai.

Le t’i japim një shpjegim këtij emocioni njerëzor që gjendet kudo. Një emocion që ndonjëherë është i dobishëm, por jo i përshtatshëm dhe shumë dobësues gjithashtu. Është një lloj ndjenje që mund të na shtyjë të punojmë fort e deri në fitim, por dhe na drejton në një tunel shqetësimesh, duke u paralizuar nga paniku. Ankthi njihet dhe si shkaku kryesor i stresit.

Fjala ankth vjen nga “anxietas” në latinisht, që do të thotë ‘të mbyt’, ‘mbytje’ dhe telashe. Tingëllon si e njohur?! Kjo sepse ankthi është një emocion normal njerëzor, i ndierë nga të gjithë në një moment apo në një tjetër. Ankthi konsiderohet patologjik ose një sëmundje e diagnostikueshme, kur nuk është në proporcion me stresin në kohëzgjatje ose ashpërsi dhe kur rezulton në shqetësim të ndjeshëm të funksionalitetit dhe shkakton dëmtime mendore e fizike.

Nga vjen ankthi?
Supozimi i zakonshëm është se ankthi shkaktohet nga ngjarje ose sfida kërcënuese apo të vështira të jetës. Madje, rezultatet e një studimi nxorën në pah se ata që kanë probleme të paqëndrueshmërisë emocionale dhe në veçanti të ankthit dhe depresionit, kanë një probabilitet më të madh që të lidhen me smartphone-in e tyre.

Le të bëjmë një provë…
Merrni frymë thellë dhe nxirreni plotësisht. Qëndroni një moment për t’u qetësuar dhe për të dëgjuar. A e dëgjoni mendjen tuaj duke folur me ju? Një zë që të thotë “nxito me këtë, do të vonohesh për takimin tënd”, ose “Kjo kafeja është e ftohtë tashmë” apo “Nuk fjeta mirë natën e kaluar”?!
Regjistroni këtë zë që vazhdimisht na flet për situata me apo pa lidhje në çdo moment të caktuar. Ky zë ose vetë-bisedë siç e quajnë psikologët, është shkaku i stresit, ankthit ose ndonjë emocioni tjetër që ndiejmë.

Në dhjetor 2019, në qytetin Wuhan të Kinës, u raportuan raste të pazakonta të pneumonisë që solli vdekje. Midis konfuzionit, teorive të konspiracionit, nënvlerësimit, papërgatitjes dhe marramendjeve të një viti të ri që pritej me padurim, koronavirusi (COVID-19) u përhap me rrëmbim në të gjithë botën duke u bërë një kërcënim global i shëndetit dhe jetës brenda disa ditësh.

Pandemia që atëherë ka pasur një ndikim të rëndësishëm në shëndetin mendor global. Raporte shqetësuese të numrave në rritje të çrregullimeve të ankthit, somatizimit, depresionit, përdorimit të substancave dhe zemërimit që shkaktojnë dëm në vetvete ose në sipërfaqe të të tjerëve.
Studiues e psikologë të shëndetit mendor parashikojnë dhe paralajmërojnë një luftë kundër sëmundjeve të shëndetit mendor, beteja tjetër e madhe shëndetësore që duhet të përballet bota.

Ankthi është një emocion që buron nga mendimet për të ardhmen. Dialogu i brendshëm zakonisht fillon me “po sikur”.

Duhet të drejtohemi për ndihmë në moment kur kjo gjendje ndikon në funksionalitetin tuaj; gjumin, oreksin, punën, intimitetin, gatimin, prindërimin, etj. Apo gjithashtu kur fillojmë të mendojmë për rrezikun në një vend ku jemi të sigurt.

Mendimet themelore iracionale që çojnë në ankth janë ato të kontrollit dhe ndjenjën e sigurisë për të ardhmen. Ne kërkojmë të arrijmë sa më shumë në aspekte të ndryshme në jetë, të tilla si shëndeti, imazhi i trupit, marrëdhëniet tona, karriera, financa, suksesi, fati, mjedisi, klima.
Shohim se as ne nuk mund ta kontrollojmë të ardhmen dhe as të tjerët. Ky është momenti ku ne sëmuremi duke u përpjekur për të kontrolluar, duke kërkuar siguri dhe përfundimisht duke e zbrazur energjinë dhe mendjen tonë mbi atë që nuk ishte kurrë në duart tona.

Ankthi është një emocion pa të cilin nuk mund të bëjmë. Teksa kemi një takim, një prezantim në letër, një intervistë për punë, një pandemi që kërkon shqyrtim të kujdesshëm, përgatitje, shqetësim për të arritur rezultate të caktuara, frika e mos arritjes së këtij rezultati të saktë bëhet problem. Vetë-puna, vetëdija, njohja e vetëdijshme dhe neuro-plasticiteti janë mjete të rëndësishme dhe fuqizuese shëruese për ne për të punuar me të e për të menaxhuar ankthin.