Health & Beauty Lifestyle

Skënder Brataj: “Vitaminat shumë të rëndësishme në sezonin veror, kujdes pijet me gaz dhe alkoolin”!

Mjeku i njohur Skënder Brataj i ftuar në “Wake Up”, ka treguar se është thelbësore që gjatë verës duhet të konsumojmë sa më shumë lëngje, perime dhe ujë. Këto do e ndihmojnë trupin tonë ta përballojë më mirë të nxehtin. Sipas tij pijet me gaz dhe alkooli nuk janë të këshillueshme sepse shkaktojnë ngushtim të enëve të gjakut dhe rritje të dierezës. Thelbësore që gjatë muajve të verës të merren sa më shumë multivitamina dhe multiminerale për ta mbajtur trupin të shëndetshëm. Ai shpjegon:

Konsumi i lëngjeve është i rëndësishëm patjetër në dy proceset vazokonstruksioni (ngushtimi i enëve të gjakut) dhe vazodelatimi (zgjerimi i enëve të gjakut), kryesisht uji. Pijet me gaz ose alkooli shkaktojnë vazokonstruksion por shkaktojnë edhe rritje të diurezës. Rritja e diurezës do të thotë eliminimi i lëngjeve nëpërmjet urinës dhe pavarësisht faktit që ke apo s’ke etje, e mira është që të paktën 2 litra ujë t’i pish sepse ndodhin këto fenomene dhe mekanizma që pa e ditur ne eliminojmë disa nga lëngjet. Por shumë e rëndësishme nuk është vetëm eliminimi i lëngjeve, por edhe kripërat minerale që kanë të bëjnë me ekuilibrin e lëngjeve në organizëm.

Kryesisht Natriumi, Kaliumi që janë ato kryesoret. Për këtë arsye duhet, ne kur bëjmë trajtime për shembull, goditjet nga dielli ose nga i nxehti, sigurisht veç hidratimit me fiziologjik, bëjmë edhe me Ringer Laktat që ka të bëjë me kriprat minerale që janë në këto solucione që ne kemi. Vitaminat janë shumë të rëndësishme të përdoren gjatë verës, dhe kryesisht perimet jeshile, frutat etj. Multivitaminik dhe multiminerale, janë shumë të rëndësishme. Në çdo moshë, sidomos në këtë periudhë të nxehtë.