Bota

Stuhia “Eunice Junis” godet Anglinë jugore, Johnson: Qëndroni në shtëpi!

Miliona britanikë janë urdhëruar sot të qëndrojnë brenda shtëpive të tyre për shkak të rrezikut nga stuhia, Eunice Junis e cila me shpejtësinë e madhe prej afro 150 km në orë konsiderohet si më e forta që ka prekur jugun e Anglisë, Uellsin përfshi dhe kryeqytetin Londër në tre dekada.

Një nga ishujt jugorë të Anglisë përjetoi erëra deri në 196 km në orë. Heathrow dhe 4 aeroportet e tjera të Londrës janë mbyllur për fluturime ku shumica e tyre janë anuluar.

Të anuluara janë edhe linjat hekurudhore dhe tragetet që lidhin Francën me Anglinë për shkak të dallgëve mjaft të larta.

Çrregullime të mëdha ka edhe nëpër autostrada dhe shumë ura janë mbyllur për shkak të erërave të fuqishme. Për shkak të kësaj stuhie, qeveria ka paralajmëruar për rrezikun ndaj jetëve të njerëzve në disa pjesë të vendit pasi kjo stuhi është më e fortë se ajo e vitit 1987 e cilësuar si Stuhia e Made kur kamionë fluturonin në ajër dhe përmbyseshin nëpër autostrada dhe pemët e shkulura binin mbi çatitë e shtëpive.

Gjatë orëve të mbrëmjes, fuqia e stuhisë pritet të zbutet, por deri atëherë edhe kryeministri Johnson u kërkon britanikëve të qëndrojnë në shtëpi për shkak të rrezikut nga erërat dhe objektet që mund të shkëputen dhe që mund të godasin qytetarët.