Sport

Testet anti-doping e nxjerrin të pastër, peshëngritësi Briken Calja rikonfirmon medaljet historike!

Briken Calja kaloi me sukses testin anti-doping. Këtë lajm e konfirmoi vetë peshëngritësi shqiptar, i cili e ka ndarë me ndjekësit në një postim në Facebook.

Një lajm i mirë mbërriti këtë mëngjes. Testet anti-doping dolën duke treguar pastërtinë dhe vërtetësinë e medaljeve historike të Botërorit të fundit.

Jam jashtëzakonisht i lumtur që medaljet e arit dhe të argjendit certifikohen si të Shqipërisë, të shqiptarëve dhe personalisht të miat. Zyrtarisht Kampion Bote në shkëputje dhe nënkampion në shtytje dhe dygarësh.

Më herët këtë muaj, Briken Calja u shpall Kampion Bote në stilin e shkëputjes. Në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes në Uzbekistan, peshëngritësi kuqezi arriti të rrëmbejë Medaljen e Artë në kategorinë 73 kg, duke ngritur në provën e tretë peshën 156 kg.

Calja e nisi konkurrimin me 152 kg, peshë të cilën e ngriti që në provën e parë. Ai ishte i suksesshëm edhe në provën e dytë, kur ngriti 154 kg. Ndërsa në provën e tretë e rriti peshën në 156 kg duke e ngritur me sukses. Një garë e suksesshme dhe e zgjuar e Caljes, që arriti të marrë maksimumin nga ky stil.

Eshtë hera e parë që ky peshëngritës merr medalje të artë. Ndërsa në stilin e shtytjes Briken Calja u shpall nënkampion bote, duke zënë vendin e dytë pasi ngriti 186 kg, 6 më pak se vendi i parë. Ai tentoi 190 kg në provën e tretë, por nuk ia doli, duke marrë kështu medalje të argjendtë. Kështu në dygarësh Calja arriti peshën 342 kg, 1 kg më pak se vendi i parë, duke u renditur në vendin e dytë e duke marrë medaljen e argjendtë.