Aktualitet

“Tetori Rozë”, ministrja Koçiu: Përfitoni nga programi i mamografisë falas, kontrollohuni në kohë!

“Tetori Rozë”, ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu apelon që gratë dhe vajzat të përfitojnë nga programi i mamografisë falas, duke u kontrolluar në kohë. Koçiu thekson se shtrirja e mbulimit me mamografi falas në mbarë vendin, si dhe zgjerimi i reparteve onkologjike në spitalet rajonale, kanë bërë që vit pas viti të rritet numri i diagnostikimeve të hershme e të ulen fatalitetet.

Duke i ftuar të gjitha gratë dhe vajzat që të bashkëpunojnë me strukturat e shëndetësisë, ministrja nënvizon se diagnostikimi i hershëm mbetet kura më efikase dhe se mamografitë shpëtojnë jetë. Ministrja e Shëndetësisë bëri thirrje që të gjithë gratë dhe vajzat të përfitojnë nga programi i mamografisë falas, të ofruar në të gjithë Shqipërinë, duke rezervuar takim për kontroll çdo ditë të vitit.

Le të luftojmë së bashku tumorin e gjirit. Falë armëve dhe mjekëve tanë, kjo është një betejë që shumë nëna dhe gra po e fitojnë me sukses. Bashkojuni programit kombëtar të ndërgjegjësimit dhe diagnostikimit të hershëm të kancerit të gjirit. Duaje veten! Kontrollohu në kohë!

Tetori është caktuar si Muaji i Ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit në të gjithë botën, për të rritur vëmendjen e mbështetjen për sensibilizimin, zbulimin e hershëm, trajtimin, si dhe kujdesin paliativ të kësaj sëmundjeje. Zonja e Parë, Armanda Begaj, i bashkohet  “Tetorit Rozë”, si pjesë e përpjekjes mbarëbotërore të sensibilizimit për kujdesin shëndetësor. Në një mesazh të posaçëm, këtë muaj e vlerëson si moment për reflektim, ndërgjegjësim e solidaritet.

Gjatë 31 ditëve të tetorit, secili nga ne, të ketë një moment reflektimi për çfarë do të thotë të jetosh normalisht në çdonjërën nga 365 ditët e vitit pas diagnostikimit me kancerin e gjirit.

Eksperiencat janë unike për këdo, por të gjithë besojmë se për të përqafuar plotësisht jetën duhet gjetur dëshira për t’u informuar, kuraja për t’u diagnostikuar, forca për ta pranuar vetë e ndarë me të tjerë, optimizmi për ta kuruar kancerin e gjirit, por mbi të gjitha energjia për t’u përfshirë në aktivitete dhe marrëdhënie që sjellin gëzim e kënaqësi, që rrisin cilësinë e jetës.

Me gjithë vështirësitë për të kuptuar sfidat specifike me të cilat duhet të përballen, nënat, bashkëshortet, motrat, bijat e miket, të gjithë ne, familja e miqtë, të jemi mbështetësit më të mirë që ato të sfidojnë frikën, ankthin dhe madje edhe zemërimin pas diagnostikimit me kancerin e gjirit apo të çdo lloji tjetër dhe të nisin një jetë normale të re.