Film & Tv

“The Fallout” E bukura është në thjeshtësinë e tij. Kritikë.

Jenna Ortega dhe Julie Bowen janë protagonistet e një drame të rëndë. Nënë e bijë eskplorojnë shtresat e shumta emocionale të shokut dhe çdo gjëje që ndjek viktimat dhe të mbijetuarit e një nga realiteteve më të trishta me të cilin ndajnë ditët amerikanët.

Edhe pse mund të duket si film predikues, apo jo origjinal, debutimi i Megan Park në metrazh të gjatë, është shumë i saktë në tregimin e dhimbjes së fortë e të çuditshme mbas një traume si ajo e filmit, aq më tepër nga një grup adoleshentësh. Ortega interpreton Vada-n, një 16 vjeçare shumë “chill” e cila ndodhet në një tualet të shkollës së saj bashkë me Mia-n (Maddie Zeigler) dhe Quinton (Niles Fitch), kur dëgjon krismat dhe klithmat e moshatarëve të saj të tmerruar. Kjo eksperiencë që ata ndajnë me njëri tjetrin i afron në mënyrë intense dhe konfuze, në të njëjtën kohë që Vada largohet nga prindërit e saj (Julie Bowen dhe John Ortiz) motra e vogël, Amelia (Lumi Pollack) dhe miku i zemrës Nick (Will Ropp), i cili dhimbjen e tij e kanalizon në aktivizëm kundër përdorimit të armëve. Ndryshe nga ai, Vada kyçet në vete.

Ortega vulos rolin me një lojë që nuk kalon dot pa e vënë re. Impulsiviteti i saj, bizzarr dhe qesharak ndërsa bën paqe me atë që i ndodhi është kaq realist sa është e pamundur mos ndjesh dhembshuri edhe pse realiteti i saj mund të të duket i largët. Kimia që ajo ka në ekran me Fitch dhe Ziegler sjell një balancë delikate. Gjella me kripë dhe kripa me karar thotë populli, dhe në këtë film çdo gjë është në masën e duhur, si për shembull skenat dialogjeve të Vada-s me terapisten e saj, luajtur nga Shailene Woodley (“Big Little Lies), e cila shfaqet pak e saktë.

Park thekson realizmin e saj me një stil regjisorial ‘low key’ (minimalist), me imtësira si një tabelë “Black Lives Matter” në një dritare periferie, apo plane poetike që i rrinë aq për shtat një filmi që tregon për gjeneratën ‘Z’. Jo të gjitha linjat e narrativës përmbyllen mbase për shkak të ngjarjeve aktualeve që “The Fallout” trajton, ose mbase ngaqë trauma nuk zhduket si me magji, mbase nuk zhduket kurrë, rritet dhe evoluon, e kemi gjithmonë si hije mbas vetes.