Sociale

Trafikim i ri Shqipëri-Itali, breshkat e tokës shiten nga 60-2000 euro në tregun e zi

Një furgon i nisur nga Shqipëria është ndaluar në Portin e Brindizit disa ditë më parë pasi po kontrabandonte dy ekzemplarë të rritur të breshkave të llojit “Testudo Hermanni”, tregtia e të cilave është e ndaluar sipas ligjeve ndërkombëtare pasi janë specie në rrezik zhdukjeje. Ato ishin fshehur me kujdes, por kjo nuk ka lejuar që shoferi përgjegjës, shtetas shqiptar, banues në Itali, t’i shpëtojë kontrollit.

Trafiku breshkave të rralla nga vendi ynë matanë Adriatikut është kthyer në fenomen shqetësues. Sipas mediave të vendit fqinj ky nuk është rasti i parë. Trafiku bëhet me mënyra nga më të ndryshme; të futura në kuti në bagazhet e makinave, në valixhe madje edhe me çanta shpine.

Shqiptari i kapur tashmë është nën hetim, teksa legjislacioni parashikon gjoba të konsiderueshme me karakter monetar, për të kufizuar qarkullimin e faunës dhe florës së kërcënuar nga njeriu.

Çifti i breshkave iu besua më pas përkujdesjes së autoriteteve përgjegjëse italiane, me synimin për një rifutje të shpejtë në habitatin e tyre natyror në Shqipëri.

Breshka e tokës (Testudo hermanni) ose breshka e zakonshme është një ndër llojet e rrezikuara të faunës shqiptare. Testudo hermanni ka një cikël jetësor të ndarë në dy pjesë: periudhën e gjumit letargjik (nëntor-mars/prill) dhe periudhën aktive (mars/prill-nëntor). Mosha mesatare për pjekurinë seksuale është mbi tetë vjeç për meshkujt dhe mbi nëntë vjeç për femrat. Breshkat femra lëshojnë 3-5 vezë në vit.

Kjo lloj breshkë është e pranishme kudo në territor por në Itali dhe vendet evropiane është shumë e rrallë. Mesatarisht çmimet e një breshke Testudo hermanni varion nga 60/80 euro kur është e vogël deri në 600 euro një femër e rritur.

Mesatarisht, çmimet e breshkave të tokës (kryesisht foshnjat) në sipas llojit janë:

Testudo hermanni 60/80 euro

Testudo marginata 70/80 euro

Centrochelys sulcata 80/100 euro

Testudo horsfieldi 60/100 euro

Breshkat e rritura që janë në moshën riprodhuese kushtojnë shumë më tepër:

Testudo hermanni mashkull 150/400 euro

Centrochelys sulcata 500/2000 euro

Testudo hermanni femër 300/600 euro

Breshke Horsfield e rritur 300 euro

Testudo marginata e rritur 300/1000 euro