Politikë

Transferohet në KQZ përplasja e radhës mes dy grupeve të Partisë Demokratike

Përplasja e radhës brenda Partisë Demokratike ka ndodhur sot në Komisionin Qendror Zgjedhor, ku u mbajt seanca e parë për procesin e pjesshëm të votimit në 6 bashki. Indrit Sefa, përfaqësues ligjor i PD-së, u paraqit si përfaqësues ligjor i demokratëve, së bashku me Marash Logun. Në këtë detyrë më parë ishte Ivi Kaso, i cili sot ishte si përfaqësues i Komisionit të Rithemelimit. Kaso deklaroi se Basha është shkarkuar nga Kuvendi i 11 dhjetorit 2021.

Po ashtu, ai ka thënë se vula dhe logoja e PD-së, janë rifreskuar me vendimet e këtij Kuvendi.

“Ju uroj suksese në procesin e dekretuar nga presidenti. I bëj me dije KQZ se jemi në një periudhë zgjedhore, përfaqësimi vijon automatikisht, nuk kemi ende subjekt zgjedhor në garë. I bëj me dije KQZ për një fakt të bërë publik, lidhur me faktin që prej dhjetorit 2021, jo vetëm nënshkruesi i letrës nuk është më kryetar i PD, sigla dhe vula e PD, kanë ndryshuar në raport me ato të depozituara në procesin e 25 prillit”, u shpreh Kaso.

Por komisioneri shtetëror Celibashi argumentoi se raporti mes institucionit zgjedhor dhe partive politike është tërësisht institucional.

“Në pikëpamje të ligjit, raporti i një partie politike me KQZ është një raport i vazhdueshëm dhe qoftë gjatë periudhës zgjedhore dhe jo zgjedhore. Ekziston një marrëdhënie për aq sa ligji e përcakton. Secili prej institucioneve ka mënyrën e vet dhe e demonstron në mënyrë të ligjshme. Me gjithë keqardhjen me këtë situatë, jemi në një marrëdhënie institucionale mes KQZ dhe PD ku ai që është përfaqësuesi ligjor i saj ka konsideruar cilët do të jenë përfaqësuesit e saj në KQZ. Për ju kjo ishte fjala e fundit në lidhje me këtë çështje dhe vijimin e mëtejshëm të mbledhjes së KQZ. Opinionet e PD, janë ato që do të prezantohen nga Indrit Sefa dhe Marash Logu,” tha Celibashi.

Më herët i pyetur se kë njeh si kryetar të Partisë Demokratike, Celibashi tha “se duhet të shfaq një sjellje korrekte dhe institucionale, duke shtuar se partia që kërkon të regjistrohet duhet të paraqesë një sërë dokumentesh, një prej tyre nga Gjykata e Tiranës që përmban të dhënat mbi partinë politike, përfshirë emër, organet drejtuese, organet kompetente për të mbajtur marrëdhëniet me të tretët. Kështu që nuk është një çështje e komisionit është një çështje e përcaktuar mirë nga ligji”.

Në mungesë të logos dhe vulës Sali Berisha ka nisur negociatat me aleatët e PD-së për tu regjistruar si koalicion në zgjedhje.