Bota

Vaksinohet Angela Merkel, ja cilën vaksinë përdori kancelarja gjermane

Kancelarja gjermane mori sot dozën e parë të vaksinës kundër koronavirusit “AstraZeneca”. Vaksinimi është çelësi për të dalë nga pandemia u shpreh Angela Merkel menjeherë pas vaksinimit.

Imunizimi i kancelares gjermane bëhet dy javë pasi autoritetet kanë rekomanduar vaksinimin me AstraZeneca vetëm të personave mbi moshën 60 vjeç.

Këtë vit, Merkel përfundon edhe mandatin e saj pas gati 16 vitesh në pushtet. Ajo shpesh ishte pyetur në lidhje me planet e saj për tu vaksinuar, por kishte këmbëngulur se do të priste radhën në përputhje me rregullat e rrepta të vaksinimit të grupeve me përparësi në Gjermani.

Zyrtarët gjermanë po bëjnë përpjekje për të rritur besimin e publikut për vaksinën e AstraZeneca.

Në fund të marsit autoritetet thanë se njerëzit nën 60 vjeç ende mund të marrin vaksinën AstraZeneca, në konsultim me mjekun e tyre, dhe nëse janë plotësisht të vetëdijshëm për rreziqet e mundshme.

Disa vende të tjera, duke përfshirë Francën, Spanjën dhe Kanadanë, gjithashtu kanë vendosur kufizime në imunizimin me AstraZeneca për shkak të disa rasteve me mpiksje të gjakut.

Danimarka këtë javë ndaloi plotësisht përdorimin e AstraZeneca për shkak të këtyre shqetësimeve.