Bota

Vogëlushja nga Maroku ende pa emër, lindi pak minuta para tërmetit!

Foshnja e Khadija-s erdhi në jetë vetëm disa minuta para se të ndodhte tërmeti që shkaktoi mijëra viktima të premten në Marok. Edhe pse nënë e bijë nuk pësuan lëndime, spitali në Marrakesh ku ato ndodheshin u evakuua. Pas një kontrolli të shpejtë, atyre iu kërkua që të largoheshin nga godina, tri orë pas lindjes.

Me fëmijën e porsalindur në krah, Khadija dhe bashkëshorti i saj tentuan që të merrnin një taksi dhe të shkonin në shtëpinë e tyre në Taddart, në Atlas, por rrugët ishin të gjitha të bllokuara. Tashmë, familja e re jeton në një çadër në një rrugë të fshatit Asni. Khadija tha se:

Nuk kam marrë asnjë lloj ndihme nga autoritetet. Na kanë ndihmuar banorët këtu me batanije. Tani kemi vetëm Zotin.

Khadija tregon se për vajzën e saj të vogël ka vetëm një palë rroba. Megjithatë, ajo dhe e porsalindura e saj patën fatin që të dilnin të palënduara nga tërmeti. Rikujtojmë se disa drita të pazakonta janë parë në qiellin e Marokut disa minuta para nisjes së lëkundjeve të tokës.