Bota

YouTube heq 15 video të presidentit të Brazilit për koronavirusin!

YouTube hoqi disa video të publikuara nga presidenti brazilian Jair Bolsonaro: nuk jepnin informacione të sakta për koronavirusin.

BBC bën të ditur se vendimi nuk bazohet në arsye politike apo ideologjike por lidhet me rregullat që përcaktojnë përmbajtjet e platformës. Kujtojmë se nga fillimi i pandemisë, Bolsonaro kritikonte lockdown-in, përdorimin e maskave e vaksinat kundër COVID-it.

Zyra e Shtypit e presidentit të Brazilit nuk e komentoi vendimin e YouTube-it që sipas mediave vendase prek 15 video.

Në një prej tyre, ish-ministri i Shëndetësisë, Eduardo Pazuello krahasonte koronavirusin me SIDA-n e pohonte se “Virusi HIV vazhdon të ekzistojë dhe ende ka të infektuar por pjesa më e madhe kurohet e jeta vazhdon!”.

Në një tjetër video, një mjek brazilian sugjeronte përdorimin e hidroksiklorokinës e të ilaçit anti-parazitar ivermektinë, si kura kundër koronavirusit. YouTube ndalon përmbajtjet që promovojnë përdorimin e këtyre dy substancave për të kuruar COVID-in, si dhe nuk lejon videot ku maskat cilësohen joefikase në mbrojtjen ndaj sëmundjes.

Nuk është hera e parë që Bolsonaro përballet me bllokim nga rrjetet sociale. Vitin e kaluar ishin Twitter e Facebook që i hoqën videot ku kritikonte masën e distancimit social e deklaronte se një numër i lartë rastesh në Brazil do të çonte në krijimin e të ashtuquajturit “imunitet i tufës”.