Aktualitet

Zgjedhjet në Rrogozhinë, pjesëmarrja më e lartë se më 14 Maj!

Prej orës 07:00 të mëngjesit, në Rrogozhinë vazhdon votimi për të zgjedhur kreun e ri të bashkisë mes kandidatit socialist, Edison Memolla e atij të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Shkëlqim Hoxha. Bie në sy pjesëmarrje më e lartë e votuesve se në zgjedhjet vendore të 14 Majit. Referuar shifrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, KQZ, deri në mesditë kanë votuar 26.91% e qytetarëve me të drejtë vote. Më 14 Maj, kjo pjesëmarrje ishte 21.83%, po për të njëjtën orë, pra 12:00.

Janë 32 mijë qytetarë të thirrur që t’u drejtohen qendrave të votimit nga ora 07:00 deri më 19:00. Të burgosurit nuk lejohen të votojnë. KQZ vendosi ripërsëritjen e votimeve pasi rezultati i 14 Majit u shpall i pavlefshëm. Shkak u bë kutia e burgut dhe diferenca mes dy kandidatëve vetëm 21 vota, ndërsa të burgosur numëroheshin më shumë se 100. Lokalet e 14 Majit u fituan nga Memolla i PS-së.

Më herët gjatë ditës pati një reagim nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që sot në Rrogozhinë të respektohet heshtja zgjedhore e solemniteti i ditës së votimit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tërheq vëmendjen e përfaqësuesve politik dhe kandidatëve që të respektojnë heshtjen zgjedhore dhe solemnitetin e ditës së votimit.

Sot është dita e qytetarëve që kanë të drejtën e zgjedhjes dhe deklaratat politike cenojnë standardet e procesit zgjedhor dhe janë në shkelje të dispozitave të Kodit Zgjedhor.

Gjithashtu, KQZ tërheq vëmendjen e Komisioneve të Qendrave të Votimit që të respektojnë Kodin Zgjedhor dhe të mos lejojnë persona të paautorizuar në Qendrat e Votimit.

Në QV dhe rreth tyre lejohen vetëm zgjedhësit, vëzhguesit e akredituar dhe stafi teknik i KQZ-së.

Kandidatëve dhe përfaqësuesve politikë, kryekomisioneri Ilirjan Celibashi i cili sot ishte në Rrogozhinë, iu bëri thirrje të shmangin deklarimet me përmbajtje zgjedhore. E ndërsa pati një incident lidhur me fotografimin e votës, Celibashi u shpreh se përbën shkelje penale:

Fotografimi i votës përbën shkelje penale. Do ta adresojmë. Kandidatët të evitojnë deklarimet e tyre me përmbajtje elektorale. E kanë të ndaluar të bëjnë thirrje për t’u votuar. Nuk kanë arsye ligjore që të shkojnë në qendrat e votimit e të vëzhgojnë procesin e votimit. Aty janë vëzhguesit, janë mediat.  Morëm njoftim që në Lekaj kishte grumbullim të personave të paautorizuar. Kjo tashmë është normalizuar.