Rajoni

10 viktima të konfirmuara nga zjarri në një spital për pacientët me COVID në Tetovë!

U shkrumbua brenda pak minutave spitali i ndërtuar kohët e fundit për trajtimin e pacientëve me COVID në Tetovë të Maqedonisë së Veriut. Ngjarja tragjike ndodhi një natë më parë. Raportohen të paktën 10 viktima, pacientë e mjekë.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe:

Në Tetovë ka ndodhur një fatkeqësi që ka marrë shumë jetë. Për momentin janë konfirmuar dhjetë të vdekur nga zjarri, por numri mund të rritet.

Jo zyrtarisht flitet për 14 persona që kanë ndërruar jetë.

Zjarri është tashmë i shuar dhe ekipet po mobilizohen për të ndihmuar.  Personat që kanë nevojë për ndihmë mjekësore më urgjente po transportohen në Shkup.

Deri tani nuk dihen shkaqet e flakëve që përpinë gjithçka ndonëse dyshohet se erdhën nga shpërthimet e bombolave të gazit apo oksigjenit.

Pas mbledhjes së Shtabit të Krizës, kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi tha se pret që institucionet të zbardhin rastin.

Institucionet duhet të bëjnë punën e tyre ndaj për momentin, nuk mund të flasim për shkaktarët. Eshtë fatkeqësi, dhimbje shumë e madhe. Me informacione do të dalim kur t’i kemi zyrtare, si për shkaqet, ashtu edhe viktimat.

Ende nuk ka informacione për numrin e personave të shtruar në spitalin e djegur. Dy javë më parë u raportua për dëmtim të instalimeve të oksigjenit atje.

Sot në orën 10:00, Qeveria e Maqedonisë së Veriut zhvillon një mbledhje urgjente. Nga Tetova ku ishte mbrëmë, kryeministri Zoran Zaev u shpreh se nuk mund të jepte detaje rreth ngjarjes, pa u kryer ekspertiza dhe pa thënë fjalën e tyre hetuesit. Hetimeve të Prokurorisë Tetovë i janë bashkuar edhe dy prokurorë nga Shkupi.

Spitali modular ishte ndërtuar vetëm pak kohë më parë për trajtimin e të sëmurëve me COVID dhe materiali i përdorur u përfshi shumë lehtë nga flakët. Në Maqedoninë e Veriut, Tetova ka qenë mes qyteteve me më shumë infektime me koronavirus. Politika në Shqipëri e Kosovë shprehu ngushëllime.