Health & Beauty Lifestyle

7 gjëra delikate që mund të ndikojnë në pamjen e foshnjës suaj!

Gjenetika nuk është i vetmi faktor që ndikon në pamjen e foshnjës, sepse ajo që ndodh gjatë shtatzënisë mund të ndikojë edhe në shëndetin dhe pamjen e ardhshme të fëmijës. Nga ushqimi që nënat e ardhshme konsumojnë e deri te kushtet e mjedisit të tyre, ka shumë faktorë befasues që mund të ndikojnë në rritjen dhe zhvillimin e të porsalindurve.

‘Bright Side’ renditi 7 gjëra që nuk bien në sy që ndoshta mund të formësojnë tiparet fizike të foshnjës dhe shpresojmë se ato do t’ju ndihmojnë të bëheni më të ndërgjegjshme për ‘udhëtimin’ e shtatzënisë.

1. Stina kur lind foshnja

Shkencëtarët vunë në dukje se ekspozimi adekuat ndaj dritës së diellit (që më së shumti ndodh gjatë verës) është një burim i mirë i vitaminës D, e cila është thelbësore për rritjen e fetusit. Vitamina D ndihmon në zhvillimin e shëndetshëm të kockave duke lejuar përthithjen e kalciumit dhe fosforit dhe kontribuon pozitivisht në peshën dhe gjatësinë e fëmijës.

2. Nivelet e sheqerit të nënës

Dëshirat e shtatzënisë janë krejtësisht normale, por ju duhet të reduktoni ëmbëlsirat nëse nuk dëshironi që konsumi juaj i sheqerit të reflektojë në peshën e foshnjës tuaj. Diabeti gestacional (GDM), ose rritja e niveleve të sheqerit në gjak gjatë shtatzënisë, mund të ndikojë tek fetusi që varet nga ju. Fëmija mund ta ruajë atë sheqer shtesë si yndyrë, gjë që i vë ata në një rrezik më të lartë për të qenë obez, për t’u prekur nga diabeti dhe për të pasur verdhëz. Ekspertët rekomandojnë menaxhimin e GDM-së përmes dietës dhe stërvitjes së duhur, ose në raste ekstreme, duke marrë insulinë ose medikamente. Por mbani mend se është gjithmonë më mirë të flisni me mjekun tuaj ose të konsultoheni me një specialist për trajtimin e duhur.

3. Konsumimi i qumështit në ditë

Ekziston një mit i vjetër se pirja e qumështit do ta bëjë lëkurën e foshnjës më të pastër. Nuk ka asnjë provë shkencore për këtë, por ajo që studimet e publikuara vërtetuan është një lidhje midis konsumit të qumështit dhe peshës së shëndetshme të lindjes. Sipas një reviste mjekësore, gratë që pinin një filxhan qumësht (ose më pak) në ditë, lindnin foshnja më të vogla se ato që pinin më shumë dhe çdo filxhan shtesë rriti peshën e fëmijës me 41 gram.

4. Marrja e kafeinës

Kolegji Amerikan i Gjinekologëve (ACOG) rekomandon që gratë shtatzëna të mbajnë konsumimin e kafesë në më pak se 200 miligramë në ditë (rreth një filxhan). Kafeina absorbohet shpejt dhe kalon në placentë dhe mund të shkaktojë një grumbullim të nivelit të lartë nëse konsumohet shumë. Kjo mund të kufizojë rritjen e fetusit dhe të çojë në një të porsalindur nën peshë.

5. Ngrënia e kikirikëve gjatë shtatzënisë

Hulumtimet sugjerojnë se ngrënia e kikirikëve gjatë muajve të shtatzënisë mund të ulë rrezikun e alergjive ndaj kikirikut tek pasardhësit. Reaksionet alergjike mund të shkaktojnë urtikarie, skuqje ose ënjtje. Simptoma të tjera të padukshme përfshijnë probleme me tretjen dhe rrjedhje hundësh. Gjetjet sugjerojnë se ekspozimi i hershëm ndaj këtij lloji të ushqimit mund ta mbrojë fëmijën nga këto simptoma.

6. Ushqim i pasur me proteina që nxit rritjen e flokëve

Flokët e foshnjës fillojnë të rriten brenda mitrës rreth javës së 14-të ose të 15-të. Proteina është e mirë për rritjen e flokëve tuaj, si dhe për të voglin tuaj. Vezët nuk janë vetëm një burim i shkëlqyer i proteinave, por ato gjithashtu përmbajnë biotinë, e cila është e mirë për fijet. Ushqime të tjera që janë të dobishm janë spinaqi (i pasur me folate, hekur dhe vitamina A dhe C, të cilat ndihmojnë në mbajtjen e flokëve të shëndetshëm) si dhe avokadot me arrat, të cilat ndihmojnë në luftën kundër rënies së flokëve. Peshku i yndyrshëm është gjithashtu një burim i mirë i acideve yndyrore omega-3, por zonjat në pritje duhet të jenë të kujdesshme dhe të konsultohen fillimisht me gjinekologun e tyre, pasi disa peshq janë të rrezikshëm për t’u ngrënë gjatë shtatzënisë.

7. Cilësia e ajrit

Ajri i ndotur ose i kontaminuar mund të shkaktojë probleme me peshën e lindjes së foshnjës. Sipas studiuesve, për çdo 10 mikrogram rritje të ndotjes (për metër kub ajër), masa mesatare e lindjes zvogëlohet me 8,9 gram. Gratë shtatzëna mund të përpiqen të luftojnë efektet e ndotjes së ajrit me ushqime të pasura me vitamina dhe antioksidantë.