Bota

Aksident hekurudhor në Mexico City, 23 viktima nga shembja e një ure!

Të paktën 23 persona humbën jetën dhe 70 janë plagosur në kryeqytetin meksikan, Mexico City, nga shembja e një ure në momentin kur po kalonte një tren në metronë Aerotren.

Pamjet e kamerave të sigurisë, të transmetuara në mediat vendase, shfaqën trenin duke rënë nga një lartësi prej pesë metrash e zuri poshtë edhe makina që lëviznin poshtë strukturës.

Ngjarja ndodhi pranë stacionit Olivos në linjën 12 të metrosë, ndërtimi i së cilës është shoqëruar me ankesa dhe akuza për abuzime. Në terren vijojnë operacionet e kërkim shpëtimit që ishin ndërprerë. Ekipet e mbështetura nga një vinç po veprojnë me kujdes për shkak të rrezikut për shembje të reja.

Kryebashkiakja Claudia Sheinbaum bëri të ditur se do të nisin hetimet për të zbuluar shkaqet e tragjedisë së ndodhur në 22:30 me orën lokale.

Janarin e kaluar, senatori meksikan Raul Bolanos-Cacho Cuè, i kishte bërë thirrje autoriteteve në Mexico City, të bënin një vlerësim të plotë, teknik e administrativ të strukturave të të gjitha linjave të metrove për të shmangur ngjarje si ajo e 9 janarit 2021 kur shpërtheu një zjarr. Metroja e Mexico City-t ka 195 stacione në 12 linja.