Aktualitet Rajoni

Albin Kurti sot viziton Tiranën, fokusi te Marrëveshja e Ohrit me Serbinë!

Sot Tiranën e viziton kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në axhendë takime me homologun Edi Rama e kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla. Në fokus, Marrëveshja e Ohrit, e arritur më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, por që nuk u firmos nga presidenti serb Vuçiç pas dakordësisë me Kurtin.

Në një postim në Twitter, Rama shfaqi shpresën që “djalli të mos fshihet në detaje” dhe që “Marrëveshja për të cilën u ra dakord, por pa e nënshkruar, të mos jetë një tjetër mashtrim ballkanik! Përndryshe kjo do të ishte një arritje historike që do të shpallte një pranverë të shumëpritur në marrëdhëniet mes dy kombeve më të mëdha të Ballkanit”.

Le t’i përgëzojmë sinqerisht katër protagonistët e tryezës së Ohrit, duke uruar që së shpejti marrëveshja e panënshkruar të kthehet në një realitet të ri të pakthyeshëm mes Kosovës e Serbisë, shqiptarëve dhe serbëve, Ballkanit Perëndimor e Bashkimit Europian.

I kënaqur për rezultatin, kryediplomati i Bashkimit Europian, Josep Borrell deklaroi:

Palët pranuan që marrëveshja dhe zbatimi i saj përmes Aneksit, të bëhen pjesë integrale e rrugëve përkatëse drejt Bashkimit Europian. Edhe pse ato vendosën të mos e nënshkruajnë zyrtarisht marrëveshjen, ranë dakord që sa më shpejt të jetë e mundur të fillojnë zbatimin e saj.  Eshtë e qartë se të dyja palët do të kenë përfitim të madh nga kjo marrëveshje, sepse dialogu nuk është vetëm i Kosovës e Serbisë, por ka të bëjë me stabilitetin, sigurinë e prosperitetin e të gjithë rajonit.

Në përfundim të bisedimeve të Ohrit, kryeministri Kurti tha se “dakordësia e arritur është njohje reciproke de facto e Kosovës dhe Serbisë”. Por, a do të lejojë formimin e Asociacionit të komunave serbe?

Bëhet fjalë për një nivel adekuat të vetëmenaxhimit të komunitetit serb, jo për vetëqeverisje.

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç u shpreh se “formimi i Asociacionit është bërë detyrim me prioritet”.