Art & Kulturë Rajoni

Anulohet projekti për restaurimin e Hamamit të Madh

Komisioni i Ministrisë së Kulturës për Shqyrtimin e Ankesave, ka anuluar projektin e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), për restaurimin e Hamamit të Madh në Prishtinë, i cili ishte miratuar nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM).

Lajmin e ka konfirmuar Qerim Ondozi, këshilltari për media i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku.

“Po, ky projekt është pezulluar”, u shpreh Ondozi.

Ai shtoi se vendimin për pezullimin e këtij projekti e ka marrë Komisioni i Ministrisë së Kulturës për Shqyrtimin e Ankesave, pas pranimit të ankesave të parashtruara nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore – MKRS, dhe nga disa profesorë të Universitetit “Hasan Prishtina”.

Komisioni vërejti se shqyrtimi dhe miratimi i projektit nga ana e IKMM-së, “nuk është zhvilluar duke u bazuar në standardet profesionale dhe teknike, të parapara në bazë të legjislacionit në fuqi që e rregullon fushën e trashëgimisë kulturore në Republikën e Kosovës.

Projekti ka mangësi, në veçanti në argumentim të dy elementeve të rëndësishme: atë të hulumtimit paraprak të historikut të ndërtesës, gjendjes burimore, si dhe atë të arsyetimit të zgjidhjes së propozimeve konservuese-restauruese, ku në mungesë të argumentimit të saktë të pjesës hulumtuese, edhe ofrimi i zgjidhjes për restaurim/konservim mbetet i mbështetur në hipoteza, e cila përpos metodës së krahasimit, është dashur të ndërtohet edhe në bazë të dhënave të shkruara për vetë ndërtesën e Hamamit të Madh të Prishtinës, fotografive të mëparshme, hartave, skicave, raporteve, e dokumenteve tjera arkivore.

Ai ka shtuar se në mungesë të dëshmive të gjendjes burimore edhe pas hulumtimit, “projekti i konservimit dhe qasja e restaurimit apo kthimit të monumentit në një periudhe të caktuar kohore, duke i zhbërë elementet tjera që janë shtresëzuar brenda pesë shekujsh, si dhe duke vendosur elemente të reja, nuk mund të hartohet mbështetur vetëm në hipoteza.”

Investimet turke në trashëgimi – donacione apo imponim ideologjish?

Drejtori i Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM), Ismet Hajrullahu thotë se vendimin për anulimin e projektit për restaurimin e Hamamit të Madh në Prishtinë, u mor që dje nga Departamenti i Trashëgimisë Kulturore i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Sipas tij, një kopje e vendimit të IKMM-së për aprovimin e projektit te restaurimit te Hamamit të Madh në Prishtinë, më 23 qershor të vitit 2020, u është dërguar kabinetit të ministrit të KRS-së, Zyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të kësaj ministrie, Departamentit të Trashëgimisë Kulturore, Arkivit të MKRS-së, Arkivit të IKMM-së dhe Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prishtinë.

Hamami i Madh i Prishtinës pritej që të hynte në një fazë të restaurimit dhe shndërrimit në muze, dhe ishte paraparë që për këtë projekt të investoheshin rreth 1 milion euro.

Më shumë se gjysma e projektit ishte planifikuar të financohej nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) si dhe punimet ishte paraparë që të kryheshin nga një kompani që do të përzgjidhej nga Qeveria turke.

Projekti që ishte prezantuar në ueb-faqen e Komunës së Prishtinës, pati nxitur reagime të shumta për shkak se Hamamit të Madh, i cili është objekt i trashëgimisë kulturore, i ishte ndërruar emri në “Fatih Hamami Muzesi”.

Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM) pati njoftuar më 3 mars të vitit 2021, se ka refuzuar të trajtojë lëndën për Hamamin e Madh të Prishtinës, pikërisht për shkak të emërtimit.

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) pati hedhur poshtë akuzat e fshehjes së ndonjë qëllimi prapa ndihmës financiare për restaurimin e Hamamit të Madh të Prishtinës.