Rajoni

BE: Kosova dhe Serbia miratuan propozimin europian!

Bashkimi Europian konfirmon se liderët e Kosovës dhe Serbisë miratuan dje propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve. Zëdhënësi Peter Stano:

Ajo për të cilën u ra dakord në takim është se nuk ka nevojë për diskutime të mëtejshme mbi përmbajtjen, tekstin e propozimit dhe se do të punojmë me palët për zbatimin. Natyrisht, ne si BE do t’i ndihmojmë. Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona lehtësuese. Ata e miratuan propozimin. Ata ranë dakord që nuk nevojiten diskutime të mëtejshme rreth dokumentit dhe se mund të kalojmë në fazën tjetër.

Një ditë pas takimit të nivelit të lartë në Bruksel, Qeveria e Kosovës dha detaje. Në një deklaratë thuhet se u arrit dakordësi që teksti i propozimit të BE-së, mbështetur nga Gjermania, Franca, Italia e Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të mos ndryshojë. Më tej, theksohet se kryeministri Kurti shprehu gatishmërinë për nënshkrimin e marrëveshjes bazë Kosovë-Serbi.

Kryeministri Rama përshëndeti takimin e nivelit të lartë Kurti-Vuçiç që u zhvillua dje në Bruksel, me qëllim arritjen e marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Në Twitter, shefi i qeverisë e konsideron “moment historik” pëlqimin e të dyja palëve për planin franko-gjerman e shton se “paqja dhe bashkëpunimi janë çelësi për të ardhmen”.

Po ashtu, Rama vlerëson se Kurti, bëri gjënë e duhur me dakordësimin për planin-franko gjerman. “Uroj që askush të mos e akuzojë Albin Kurtin për tradhëti apo harresë, por gjithkush të kuptojë se kryeministri i sotëm i Kosovës ka bërë gjënë e duhur, duke hedhur një hap të parë me shumë rëndësi drejt daljes nga kurthi i të djeshmes. Hapa të tjerë pasofshin pa humbur kohë!”

Zgjatën mbi 5 orë diskutimet e djeshme në Bruksel, Kurti-Vuçiç. Pavarësisht progresit, sërish palët nuk arritën marrëveshje përfundimtare e ritakohen më 18 mars.  Pas takimit me Kurtin e Vuçiçin, kryediplomati europian, Borrell, tha se palët u zotuan të zbatohet ajo çfarë u nënshkrua në Bruksel. Sipas tij, nuk nevojiten të tjera diskutime sa i përket propozimit të BE-së për planin franko-gjerman.