Bota

Çfarë ndodh pas vendimit për abuzim seksual ndaj ish-presidentit Trump?

Ndërsa të martën një juri në Manhattan arriti në përfundimin se ish-presidenti amerikan Donald Trump duhet të paguajë 5 milion dollarë dëmshpërblim për abuzim seksual ndaj ish-gazetares E. Jean Carroll në vitet 1990 dhe shpifje ndaj saj, duke e quajtur gënjeshtare, shtrohet pyetja se çfarë mund të ndodhë më tej?

A do ta apelojë Trump vendimin?

Po! Avokati i Trump-it, Joe Tacopina tha se do t’i sfidojë vendimet e gjykatësit Leëis Kaplan, që i quajti të padrejta. Për të pasur sukses në apel, Trump duhet të provojë se gjykatësi ka bërë gabime në zbatimin e ligjit në vendime të ndryshme dhe se kjo e privoi nga një gjykim i drejtë.

Avokati Tacopina u tha gazetarëve se mes të tjerash do të apelojë vendimin e gjykatësit Kaplan për të lejuar anëtarët e jurisë që të dëgjonin kasetën e emisionit “Access Hollywood”, ku Trump dëgjohej duke folur për prekjen e grave në organet gjenitale, pa pëlqimin e tyre. Anëtarët e juristë panë dhe video të Trump-it ndërsa ai i mbronte ato komente.

Ekspertët thonë se ai nuk duket të ketë argumenta të forta për apelimin, duke vënë në dukje përvojën e gjykatësit Kaplan dhe se niveli i lartë profesional i avokatëve nga të dyja palët duket se ka siguruar gjykim të drejtë.

Avokatja e Carroll-it, Roberta Kaplan, e cila nuk ka lidhje me gjyqtarin Kaplan, tha se Trump nuk ka asnjë shans në apel, sepse gjyqtari bëri maksimumin për të siguruar që procedurat të ndiqeshin në mënyrë rigoroze.

A mund të paguajë 5 milion dollarë Trump?

Ndoshta. Përveç rezidencës Mar-a-Lago në Florida, Trump ka në pronësi disa fusha golfi në SHBA, Skoci e Irlandë. Ish-presidenti nuk mund të përdorë fondet e fushatës për të paguar, por ai mund të përpiqet të grumbullojë fonde nga mbështetësit që besojnë pretendimet e tij se çështja u orkestrua nga kundërshtarët politikë.

Pa hezitim, përkrahësit kanë dhuruar për kauzat e Trump-it në të kaluarën. Gjatë presidencës Trump, dhanë më shumë se 25 milion dollarë për një fushatë të organizuar nga ish-këshilltari i tij, Steve Bannon për të mbështetur ndërtimin e një muri në kufirin me Meksikën.

A do të paguajë dhe çfarë ndodh nëse nuk paguan?

Donald Trump mbajti një qëndrim sfidues pas vendimit, duke thënë se nuk e ka takuar kurrë Carroll-in e këmbënguli në pretendimin se padia kishte si qëllim ta pengonte në përpjekjet për të rimarrë Shtëpinë e Bardhë, në vitin 2024.

Në raste të mëparshme ka paguar për t’u dhënë fund proceseve gjyqësore, duke mohuar akuzat. Në vitin 2018, u pagoi 25 milion dollarë studentëve të Universitetit Trump që nuk ekziston më. Ata pretenduan se ishin mashtruar për të paguar mijëra dollarë për seminare të rreme biznesi. Trump nuk pranoi asnjë shkelje sipas marrëveshjes.

Ka të ngjarë që Trump të sigurojë një urdhër gjykate, sipas së cilit nuk duhet ta paguajë Carroll-in ndërsa vazhdon procesi i apelit. Carroll dhe avokatët e saj kanë një sërë opsionesh ligjore për ta marrë shumën nga pronat ose të tjera burime të të ardhurave të tij, nëse Trump refuzon të paguajë.

A do të ndikojë politikisht te Trump?

Ende nuk është e qartë, por disa strategjistë politikë thanë se ndikimi ka të ngjarë të jetë i vogël. Mbështetja ndaj Trump-it mes votuesve të mundshëm republikanë u rrit kur prokurorët e Manhattanit e paditën për falsifikim të dhënash të biznesit, në lidhje me pagesat në këmbim të heshtjes së një aktoreje filmash pornografikë. Fushata e Trump-it njoftoi se mblodhi 14.5 milion dollarë gjatë tre muajve të parë të vitit dhe se kontributet u përshpejtuan ndjeshëm, pasi ai tha se do të paditej penalisht në mes të marsit. Por, disa analistë politikë thonë se vendimi mund t’i dëmtojë shanset e Trump-it me gratë me arsim universitar që jetojnë në rrethina, grup demografik kyç.

Sa mund të zgjasë Apeli?

Një apel mund të zgjidhet shpejt, por ndonjëherë, gjykatave federale të Apelit u duhet një vit ose më shumë për të dhënë vendime. Carroll ka një tjetër padi për shpifje kundër Trump-it, që ka ngecur në apele që kur e paraqiti atë më 2020-ën, megjithëse përbën një sfidë unike ligjore. Carroll e akuzoi vetëm për shpifje në atë rast sepse afati i kufizimeve mbi pretendimin e saj për abuzim seksual kishte skaduar.

Ajo ngriti padinë e dytë në vitin 2022, pasi Nju Jorku miratoi një ligj që lejon paditjen për pretendime për abuzim seksual kur në rrethana të tjera, hapësira për ta bërë këtë do të ishte mbyllur.

Një gjykatë federale e Apelit anuloi një vendim të gjykatësit Kaplan në atë çështje, në fillim të këtij viti dhe ia ktheu përsëri për të vendosur nëse në këtë rast zbatohet një ligj që mbron punonjësit e qeverisë nga pretendimet për shpifje.

Me çfarë çështjesh të tjera ligjore përballet Trump?

Përveç çështjes për para’ në këmbim të heshtjes në Manhattan, ish-presidenti Trump përballet me dy hetime penale të mbikëqyrura nga prokurori i posaçëm i Departamentit të Drejtësisë, Jack Smith. Kjo për mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara pas largimit nga detyra dhe përpjekjet e tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020.

Gjithashtu përballet me një hetim penal nga një prokuror në shtetin e Xhorxhias në lidhje me përpjekjet e tij për të përmbysur humbjen në zgjedhjet e vitit 2020 në atë shtet. Ish-presidenti ka mohuar të gjitha akuzat në këto çështje dhe e ka quajtur veten “viktimë të një gjuetie shtrigash, të motivuar politikisht”./Zëri i Amerikës