Bota Botë e Çuditshme

Zbulohet shkaku i shurdhimit dhe i sëmundjeve të tjera të Ludwig van Beethoven!

Nivelet e larta të plumbit të zbuluar në flokët e Ludwig van Beethoven, tregojnë se kompozitori kishte helmim nga plumbi, i cili mund të ketë kontribuar në sëmundjet që ai përjetoi gjatë jetës së tij, duke përfshirë shurdhimin. Në këtë përfundim ka arritur një studim i ri, sipas të cilit, prania e plumbit, i pranishëm në doza shumë të larta në flokët e kompozitorit, e bëri atë të shurdhër para kohe dhe i shkaktoi probleme të tjera të rënda shëndetësore, duke përfshirë ngërçe të vazhdueshme të barkut, fryrje dhe diarre, për të cilat Beethoven shpesh ankohej.

Studimi mblodhi së bashku William Meredith, drejtor i “Qendrës Beethoven’’ në universitetin të San Jose, biznesmenin australian Kevin Brown dhe Paul Jannetto nga klinika “Mayo”. Ata i publikuan rezultatet e analizave të tyre në revistën “Clinical Chemistry”. Besohet se Beethoven vdiq nga sëmundja e mëlçisë dhe veshkave në moshën 56-vjeçare. Por procesi i të kuptuarit se çfarë i shkaktoi problemet e tij të shumta shëndetësore, ka qenë një enigmë shumë më e ndërlikuar, gjë që edhe vetë Beethoven shpresonte se mjekët do ta zgjidhnin.

Brown dërgoi dy nga tre tufat e flokëve të Beethoven në një laborator të specializuar Mayo, i aftë për të izoluar metalet e rënda në zotërim të tij. Njëra prej fijeve kishte 258 mikrogramë plumb për gram flokë, tjetra 380, shumë më tepër se nivelet normale prej 4 mikrogramë për gram. “Kjo është dëshmi përfundimtare që Beethoven ishte ekspozuar ndaj përqendrimeve të tjera të plumbit”-theksoi studiuesi Jannetto.

Flokët e Beethoven gjithashtu treguan nivele arseniku 13 herë më të larta se normalja dhe mërkur 4 herë më të larta, por plumbi ishte shkaku i sëmundjeve të shumta të kompozitorit të nëntë simfonive.

Autorët e studimit nuk besojnë se helmimi me plumb ishte i vetmi përgjegjës për vdekjen ose shurdhimin e Beethoven. Sipas David Eaton, një toksikolog në Universitetin e Uashingtonit, i cili nuk ishte i përfshirë në studim, problemet gastrointestinale të Beethoven mund të gjurmohen në helmimin nga plumbi dhe po ashtu edhe shurdhimi i tij, sepse plumbi në doza të larta sulmon sistemin nervor dhe mund ta ketë shkatërruar atë.