Celebrities Gossip Showbiz

Steven Spielberg do të sjellë në ekran një nga librat e preferuar të Barack Obama-s!

A24 dhe kompania e prodhimit të Steven Spielberg, Amblin Entertainment, po bashkojnë forcat për të sjellë në ekranin e madh romanin e famshëm të autorit dhe muzikantit amerikan James McBride, “The Heaven & Earth Grocery Store”. Edhe pse është në fillesat e saj, tani për tani regjisori i famshëm do të jetë vetëm producent.

“The Heaven & Earth Grocery Store” tregon historinë e një grupi zezakësh dhe hebrenjsh që jetojnë së bashku në lagjen Chicken Hill të Pottstown, Pensilvani, gjatë viteve 1920 dhe 1930. Por libri fillon disa vite më vonë, në vitin 1972 me zbulimin e një skeleti në një pus. Libri ka marrë shumë vlerësime dhe është cilësuar nga NPR si një nga librat më të mirë të vitit 2023. Gjithashtu ishte në listën e librave të preferuar të ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, për të njëjtin vit.

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës bëri rreth disa muajve më parë një postim në rrjete sociale për të treguar librat e tij të preferuar të vitit 2023. Ai ndau listën e gjërave të preferuara në tre pjesë, duke vazhduar traditën e përvitshme. Obama tha se:

Siç bëj zakonisht gjatë kësaj periudhe të vitit, doja të ndaja librat, filmat dhe muzikën time të preferuar të vitit 2023. Së pari, këtu janë librat që më kanë pëlqyer të lexoj. Nëse jeni duke kërkuar për një libër të ri gjatë festave, lexoni njërin prej tyre.

Lista e Obama-s përfshinte libra të tillë si “The Covenant of water” nga Abraham Verghese, “The Kingdom, the Power, and the Glory” nga Tim Alberta dhe “The Vaster wilds” nga Lauren Groff. Presidenti vazhdoi gjithashtu me traditën e tij duke befasuar fëmijët për festa. Ish kreu i Shtëpisë së Bardhë vizitoi një klasë në Parkside Community Academy, e vendosur në Chicago, i veshur me një kapelë Santa Claus dhe duke mbajtur një thes të kuq plot me dhurata.