Aktualitet Rajoni

“Dinari, valuta e vetme për serbët”/ Vuçiç: Po ushtrohet presion mbi popullin!

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka folur mbrëmjen e kaluar(5 shkurt) për mediat serbe lidhur me zhvillimet në Kosovë, duke thënë se dikush po punon për të ushtruar presion mbi popullin serb.

Sipas tij dinari është valuta e vetme e vlefshme për serbët në Kosovë por autoriteteve në Prishtinë “kjo nuk u intereson”.

Ai shtoi se ai posedon dokumente nga dy ministri të jashtme, ku shkruhet se Serbia është problematike sepse nuk njeh Kosovën, është tolerante ndaj Dodik dhe ndaj Rusisë.

Vuçiç tha se e gjithë kjo ka për qëllim shkatërrimin e pozitës së Serbisë në Kosovë.

“Është e vërtetë se dikush po punon tërësisht për të ushtruar presion mbi popullin serb dhe për të ndërmarrë veprime çdo ditë. Pyetja kryesore është se çfarë mund të bëjmë ne në këto rrethana gjeopolitike. Si mund ta mbrojmë popullin tonë? Dinari është valuta e vetme e vlefshme. Atyre vërtet nuk u intereson. E gjithë kjo ka për qëllim shkatërrimin e pozitës së Serbisë në Kosovë.

Duhet t’u jemi mirënjohës evropianëve dhe amerikanëve që nuk duan destabilitet dhe Kurti është në nxitim. Ai ka një këshilltar nga Britania e Madhe, me origjinë gjermane, për të cilët do të diskutohet në ditët në vijim dhe kush do të çojë në ato zgjidhje”, tha Vuçiç mes të tjerash.

Vuçiç gjithashtu ka hedhur akuza ndaj Perëndimit dhe vendeve të rajonit se po shkatërrojnë Serbinë.

Sipas presidentit serb vendi i tij po shkatërrohet nga “ata që nuk duan të jetë e pavarur dhe e stabilizuar”.

Ai u shpreh se gazeta gjermane Frankfurter Algemann Zeitung ka shkruar se Vuçiç është i frymëzuar nga ajo që Azerbajxhani ka bërë në Nagorno-Karabakh, ndaj edhe po fuqizon ushtrinë, pretendim sipas tij i pabazuar në fakte.

Më tej ai u shpreh se për këtë veprimtari duhen para, që vijnë nga fuqitë e mëdha dhe vendet e rajoni që kanë interes destabilizimin e Serbisë. Po ashtu ai tha se në terren shqiptarët po armatosen, ndërsa serbët po çarmatosen.

“Armatosja e shqiptarëve tashmë po bëhet, më së shumti po përdorin Turqinë. Serbët po çarmatosen. Kjo ka vetëm një qëllim, përmbysja e Serbisë dhe njohja e pavarësisë së Kosovës”, theksoi ai.