Bota

Dita e 81-të e luftës në Ukrainë!

Rusia ka shkaktuar dëme, por pa arritur të shënojë përparim të madh territorial në lindje të Ukrainës. Trupat ruse e ukrainase janë duke luftuar fshat për fshat në Donbas, rajon lindor i vendit. Pikërisht këtu, ukrainasit përballen me separatistët e mbështetur nga Moska, prej 2014-ës. Në fundjavë, forcat ruse sulmuan një fabrikë të lëndëve kimike në Siverodonetsk të Donbasit.

Guvernatori i Lvivit njoftoi se “raketat ruse shkatërruan infrastrukturën ushtarake” në rajonin Javoriv, pranë kufirit me Poloninë. Perëndimi dërgon armë në Ukrainë përmes qytetit të Lvivit. Ushtria ukrainase bëri të ditur se i ndali hovin ofensivës ruse në Donbas.
Forcat ukrainase sulmuan pozicionet ruse dhe shkatërruan dy ura të kontrolluara prej tyre.

Në raportin më të fundit ditor, Ministria britanike e Mbrojtjes thekson:

Ushtria ruse ka humbur një të tretën e potencialit luftarak në Ukrainë, në krahasim me atë që kishte kur nisi luftën, më 24 shkurt, si dhe se nuk ka shënuar fitore të mëdha territoriale. Në situatën aktuale, Rusia ka pak mundësi të bëjë përparim të madh në 30 ditët e ardhshme.

Në qytetin e Mariupolit, qindra trupa ukrainase vazhdojnë të refuzojnë dorëzimin dhe kanë mbetur të bllokuara në fabrikën e çelikut, Azovstal. Kjo fabrikë është zona e vetme e kontrolluar nga ukrainasit në Mariupol.

Ndërsa ushtria ruse nuk po përparon ndjeshëm në ofensivën në lindje të Ukrainës, Rusia ka shënuar humbje edhe në aspektin diplomatik përgjatë fundjavës. Kjo pasi dy shtete europiane, Finlanda e Suedia kanë shprehur synimet për anëtarësim në NATO. Planet e Helsinkit e të Stokholmit mund të peshojnë rëndë mbi presidentin rus, Vladimir Putin, i cili e konsideron “të rrezikshëm” zgjerimin e NATO-s, pas periudhës së Luftës së Ftohtë.

Kalush Orchestra, grupi ukrainas që fitoi edicionin e radhës së Eurovizionit në Torino të Italisë publikoi videon e këngës “Stefania”, të xhiruar në Borodyanka, Irpin, Bucha e Gostomel. Ato janë qytezat përreth Kievit ku Moska akuzohet për masakra të qytetarëve ukrainas. Këngëtari Oleh Psyuk foli për domethëniet e reja të këngës, duke shprehur dëshirën që shumë shpejt të bëhet himn për fitoren e ukrainasve.