Bota

Gazprom rihap gazsjellësin “Nord Stream 1”!

Rusia rikthen furnizimet kritike të gazit në Europë përmes Gjermanisë, duke rihapur gazsjellësin “Nord Stream 1”, dhjetë ditë pasi u mbyll, për t’iu nënshtruar shërbimeve të mirëmbajtjes. Por, dërgesat e gazit pritet të jenë në sasi më të vogël se kapaciteti i këtij gazsjellësi. Pas rritjes së tensioneve për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë, zyrtarët gjermanë nuk e kishin fshehur frikën se “Nord Stream 1”, që ishte i mbyllur nga 11 korriku për mirëmbajtjen e përvitshme, mund të mos rihapej më.

Në një deklaratë të publikuar sot, operatori i gazsjellësit, AG, thekson se “rinisën dërgesat e gazit, por sasia e furnizimeve do të marrë kohë që të rritet”. Kreu i Rregullatorit të Rrjetit të Gjermanisë, Klaus Mueller, tha se “për sot, kompania shtetërore ruse, Gazprom, njoftoi se dërgesat do të jenë rreth 30 për qind e kapacitetit të gazsjellësit”. “Nord Stream 1” është burimi kryesor i gazit rus për Gjermaninë dhe përbën rreth një të tretën e furnizimeve të ekonomisë më të madhe në Europë.

Ekzekutivi i BE-së u kërkon shteteve anëtare të reduktojnë vullnetarisht konsumin e tyre të gazit midis 1 gushtit 2022 dhe 31 marsit 2023, me të paktën 15% krahasuar me nivelet mesatare të konsumit gjatë pesë viteve të fundit. Të 27 vendet e BE-së tani do të rishikojnë planin e Komisionit. Për të miratuar propozimin kërkohet një shumicë e cilësuar prej 15 anëtarësh, ose vende të BE-së që përfaqësojnë të paktën 65% të popullsisë së bllokut.

Presidenti rus, Vladimir Putin pati paralajmëruar se dërgesat e gazit përmes gazsjellësit “Nord Stream 1” mund të shënonin rënie nga 60 në 33 milion metra kub në ditë, nëse një turbinë e riparuar nuk dorëzohej shpejt.

Një lëvizje e tillë do të thotë që gazsjellësi po funksionon me rreth një të pestën e kapacitetit të tij total. Kritikët kanë hedhur poshtë pretendimet e Kremlinit se vonesa në kthimin e turbinës ishte në rrënjë të nevojës për të reduktuar më tej furnizimet me gaz rus në Gjermani, ekonominë më të madhe të Europës.