Bota

Gjermani, CDU-ja tejkalon parashikimet për fitore!

Në zgjedhjet e djeshme rajonale, Unioni Demokristian, CDU i kancelares gjermane, Angela Merkel shënoi një fitore që i tejkaloi parashikimet. Për partinë konservatore kjo është shtytje e mëtejshme për zgjedhjet politike të muajit shtator. CDU-ja siguroi 37.1% të votave në landin Saxony-Anhalt, çka përfaqëson rritje të ndjeshme të rezultatit për këtë parti, në krahasim me votimet e 2016-ës.

Fitorja e CDU-së në këtë land konsiderohet nxitje për Armin Laschet, kandidatin e partisë për kancelar por që nuk po arrin nivelet e duhura të popullaritetit.  Laschet synon të zëvendësojë Merkelin dhe të emërohet kancelar gjerman, për herë të parë në 16 vjet. Merkel do të tërhiqet nga pushteti pas zgjedhjeve të 26 shtatorit.

Drejtuesi i landit Saxony-Anhalt, Reiner Haseloff iu bashkua liderëve të CDU-së që pretendojnë se fitorja e kësaj partie shënon fillim të mbarë për zgjedhjet e shtatorit.

Gjithashtu, zgjedhjet treguan rënie të mbështetjes ndaj Alternativës për Gjermaninë, AfD, në 20.8% edhe pse do të vazhdojë të jetë blloku i dytë më i madh në Parlamentin e ri. AfD-ja sërish e ruajti bastionin në Gjermaninë lindore. Megjithatë, përkrahja prej 20.8% përbën më shumë se dyfish mbështetje në krahasim me parashikimet për këtë parti në zgjedhjet kombëtare.

Të gjitha partitë e tjera në Saxony-Anhalt hodhën poshtë mundësinë e bashkëpunimit me AfD-në, e cila ka tentuar të kthejë në pikë të fushatës, izolimet e ashpra për luftën kundër pandemisë koronavirus.

Duket se ulja e rasteve të infektimit dhe rritja e shkallës së vaksinimit e ndihmuan CDU-në. Sfiduesja më e madhe e partisë së Merkelit për pozitën e kancelares është Annalena Baerbock nga Partia e Gjelbër.