Bota

Karantinë 14-ditore për Kate Middleton!

Dukesha e Kembrixhit, Kate Middleton duhet të qëndrojë dy javë në izolim. Siç shkruan BBC, Middleton ka qenë në kontakt me një person që nga një testim i fundit për COVID rezultoi pozitiv.

Bashkëshortja e princit Willliam sot duhej të ishte e pranishme në një meshë në Katedralen St. Paul, në nder të personelit të shërbimit shëndetësor kombëtar.

Në një njoftim zyrtar të Pallatit Kensigton të cituar nga BBC, theksohet:

Madhëria e saj nuk ka asnjë simptomë por po ndjek udhëzimet e autoriteteve shëndetësore dhe po qëndron në izolim, në shtëpi.

Britania po shkon drejt asaj që njihet si “dita e lirisë” më 19 korrik, pa kufizime të forta anti-COVID. Por ekspertët janë të shqetësuar pasi një ditë më parë, vendi regjistroi 24.248 raste të reja me COVID në 24 orë, bazuar në të dhënat zyrtare.

15 vetë humbën jetën duke e çuar totalin e viktimave në 128.222. Në 7 ditët e fundit u shënuan 173.662 infektimeve të reja, një rritje me 67% krahasuar me javën para’ardhëse në Britaninë e Madhe.