Bota

Kontrolli i armëve në Amerikë, Senati miraton një draft!

Senati Amerikan miratoi një projekt-ligj për kontrollin e armëve, një ndër më të rëndësishmit në rreth 30 vjet. Pesëmbëdhjetë republikanë iu bashkuan demokratëve për ta miratuar masën me 65 vota pro e 33 kundër. Votimi pason ngjarjet tragjike të muajit të kaluar ku u regjistruan të shtëna masive në një supermarket në Buffalo, Nju Jork dhe një shkollë fillore në Uvalde, Teksas, që lanë 31 persona të vdekur. Drafti duhet të kalojë në Dhomën e Përfaqësuesve përpara se Presidenti Biden ta nënshkruajë, brenda ditëve të ardhshme.

Ky ligj do të ndihmojë në mbrojtjen e amerikanëve. Fëmijët në shkolla dhe komunitete do të jenë më të sigurt falë këtij ligji.

Edhe pse mjaft domethënëse, propozimet janë shumë larg asaj që kanë kërkuar shumë demokratë e aktivistë që kundërshtojnë shitjen e armëve në SHBA.

Projekt-ligji për Komunitetet e Sigurta, i cili u mbështet nga të 50 senatorët demokratë e 15 republikanë, përfshin kontrolle të zgjeruara për blerësit nën moshën 21 vjeç, 11 miliard dollarë financime për shëndetin mendor dhe 2 miliard dollarë për programet e sigurisë në shkolla. Gjithashtu siguron fonde për të nxitur shtetet që të zbatojnë ligjet për të hequr armët e zjarrit nga njerëzit që konsiderohen si kërcënim.

Shoqata Kombëtare e Armëve të Zjarrit dhe shumë republikanë në të dy dhomat e Kongresit Amerikan e kundërshtuan projektligjin, por ai mbështetet fuqishëm nga grupet e interesit që punojnë në polici, nga shoqatat që trajtojnë dhunën në familje e sëmundjet mendore.
Grupi mbi sigurinë e armëve “March For Our Lives”, i themeluar nga të mbijetuarit e atentateve të vitit 2018 në shkollën Parkland në Florida, mirëpriti avancimin e projektligjit.

Ne e dimë se ka shumë punë për t’u bërë, për t’i dhënë fund kësaj epidemie. Por shumë punë e palodhur na solli te vendimi i sotëm. Ne refuzojmë të heqim dorë ose të heshtim. T’i japim fund dhunës së armëve është beteja e jetës sonë.

Në mesin e kombeve të zhvilluara të botës, SHBA-të kanë shkallën më të lartë të vdekjeve nga armët e zjarrit. Më shumë se 20 mijë e 900 njerëz janë vrarë me armë në Amerikë këtë vit, duke përfshirë vrasjen e vetëvrasjen.