Rajoni

Kosova e Serbia e fajësojnë njëra-tjetrën për tensionet në veri!

Ndërsa në veriun me shumicë serbe janë rikthyer tensionet kundër kryetarëve të rinj shqiptarë të katër komunave, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani thotë se Aleksander Vuçiç duhet të ndalojë mbështetjen për ato që i quan “banda kriminale”, nëse do vërtet paqe. Për agjencinë e lajmeve Reuters, Osmani tha:

Sfida vjen nga Serbia, një vend që ende duhet ta pranojë të kaluarën e tij.

Presidentja Vjosa Osmani po merr pjesë në një takim të Komunitetit Politik Europian, në Moldavi.

Situata është e tensionuar, por ne duhet të sigurohemi që e rivendosim sundimin e ligjit në Kosovë e të kuptojmë se kërcënimi vjen nga mohimi që i bën Serbia ekzistencës së Kosovës si shtet sovran.

Ndërsa për tensionet në veriun e vendit, Prishtina zyrtare fajëson “bandat kriminale serbe”, të drejtuara nga Beogradi, presidenti serb, Vuçiç ia hedh fajin kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Për të marrë pjesë në samitin e Komunitetit Politik Europian, në Moldavi ndodhet dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç.  Autoriteteve të Kosovës iu bën thirrje të tërheqin ata që i quajti “kryetarët e supozuar” të komunave me shumicë serbe në veri, me qëllim që të ulen tensionet të cilat kanë shkaktuar dhunë.

Vuçiç vë në dukje se një hap i tillë do të ishte “lëvizja më e fuqishme për zgjidhjen e krizës”. Në një postim në llogarinë e tij në Instagram, presidenti serb tha se nuk pret takime të lehta me udhëheqësit europianë të mbledhur në Moldavi. Ai takoi dhe kryeministrin Rama.

Eshtë e rëndësishme që ne të përpiqemi të ruajmë paqen dhe stabilitetin.

Përpjekjet ndërkombëtare për të ulur tensionet në Kosovë u intensifikuan, ndërsa serbët vazhdojnë protestat në pjesën veriore të vendit, kundër kryetarëve shqiptarë të komunave. Kërkesat e tyre janë që këta kryetarë, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit të tërhiqen nga komunat me shumicë serbe, ashtu si edhe njësitet speciale të Policisë së Kosovës. Kryediplomati europian, Borrell zotohet të vijojë diskutimet me palët e përfshira.