Aktualitet Politikë

Monika Kryemadhi akuza Lulzim Bashës/Flet për Parlament “teatër”!

Monika Kryemadhi sulmon si “të pabesë” kreun demokrat, Lulzim Basha. Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, tha sot se në zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit “kishin në krah një armik”. Gjatë prezantimit të nismës Ekipi i Gjeneratës për Ndryshim, Kryemadhi u shpreh:

Ka ardhur si një iniciativë e të rinjve. Ne vijmë sot pas zgjedhjeve të 25 Prillit, ku kontributi juaj ka qenë i jashtëzakonshëm përballë sfidave me bandat, me pabesinë, me një partneritet që e kishim armik në krah. Votat janë mbështetje për vetë vizionin tuaj dhe pesha elektorale nuk u përkthye në mbështetje. Kemi dashur të realizojmë disa ndryshime për të siguruar sovranitetin përmes votës, duke filluar me ndryshimet rrënjësore për shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë. Që prej ditës së parë e kemi pjesë të programit tonë.

Sipas kryetares së LSI-së, “Dy persona po mbajnë peng Shqipërinë me një Parlament teatër që i certifikon marrëveshjet”. Referuar Bashës dhe Ramës, Kryemadhi u shpreh:

Edhe sot e kësaj dite vazhdojmë të jemi peng të jetës kriminale. Pas 25 prillit do të kërkonim balancim të pushtetit ekzekutiv me atë legjislativ, që Shqipëria të mos jetë më republikë kryeministrore, por parlamentare.  Kemi një Parlament teatër që certifikon marrëveshjet mes dy personave që mbajnë peng Shqipërinë!

Në fillim të marsit të kaluar, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim nënshkruan një marrëveshje, përmes së cilës përcaktuan linjat kryesore të bashkëpunimit mes tyre, në rast të një fitoreje në zgjedhjet e 25 Prillit. Demokratët hynë në zgjedhje me një listë të përbashkët me 12 parti të tjera opozitare, ndërsa LSI-ja garoi e vetme, me listën e saj.

Por, pas 25 prillit Lëvizja Socialiste për Integrim u rrudh në 4 deputetë nga 19 që kishte në legjislaturën e mëparshme. Marrëdhëniet me Partinë Demokratike u përçanë. LSI foli për një proces elektoral “të manipuluar”, ndërsa pranoi se vendimi për bojkotimin e Kuvendit dhe zgjedhjeve vendore ishte “i gabuar”.