Bota

Moti i keq godet Amerikën e Gjermaninë/Stuhi bore e përmbytje!

Stuhia që prej ditësh ka goditur verilindjen e Shteteve të Bashkuara vazhdon edhe sot, duke e përfshirë rajonin nën një mbulesë të trashë dëbore. Problematikës së motit të keq i shtohet era e fortë që fryn me shpejtësi nga 80 deri në 120 km/h. Një natë më parë, Bostoni u mbulua nga afro 60 cm borë, duke barazuar rekordin e vitit 2003, ndërsa i gjithë rajoni rezulton thuajse i paralizuar, me kaos në transport, ndërprerje të energjisë elektrike dhe temperatura të ulëta.

Nga Shërbimi Kombëtar i Motit, stuhia përshkruhet si “bombë ciklonike”, e karakterizuar nga fuqia shpërthyese e rënies së shpejtë të presionit atmosferik. Në Nju Jork, me borëpastruese dhe kripë, punonjësit e mirëmbajtjes përpiqen të pastrojnë rrugët, ndërsa Central Park u mbështoll nga 20 centimetra borë e po kështu tabelat në Times Square. Në lagjen e modës Cobble Hill të Bruklinit, trotuaret u mbuluan me të paktën 12 centimetra dëborë e shumë biznese mbyllën dyqanet.

Ndërkaq, shkoi në mbi 3 mijë numri i fluturimeve të anuluara në disa nga aeroportet më të ngarkuar të SHBA-ve, për shkak të reshjeve intensive të borës në lindje të vendit. Paralajmërimet për stuhi u bënë në Mein, Nju Hempshër, Masaçusets, Rod Ajlënd, Konektikat, Nju Jork, Nju Xhersi, Delauer, Merilend e Virxhinia.

Po në Amerikë, edhe kompania hekurudhore “Amtrak” pezulloi e kufizoi shërbimet e saj në linjën Boston-Uashington. Zyrtarët kanë paralajmëruar qytetarët që të qëndrojnë larg nga rrugët.

Ndërkohë, Rod Ajlëndi ndaloi të gjitha lëvizjet në rrugë tokësore, përveç atyre emergjente. Masaçusets nuk lejon kamionët e rëndë në autostradat ndër-rajonale. Edhe në Virxhinia, qindra drejtues u bllokuan në autostradën “Interstate 95”, për shkak të stuhisë së borës.

Nga Amerika në Europë, probleme me motin të keq njoftohen në Gjermaninë veriore që po përballet me stuhinë Malik, pasi më parë goditi Skandinavinë dhe Mbretërinë e Bashkuar ku shkaktoi dy viktima. Kjo stuhi që në territorin gjerman njihet me emrin Nadia, përfshiu Hamburgun natën mes të shtunës e së dielës duke shkaktuar përmbytje. Fatmirësisht nuk raportohen të lënduar.