Sport

MOTO GP/ Gara e Australisë, rivalitet Quartararo-Bagnaia!

Pas tri vitesh mung esë, Moto GP-ja rikthehet në Australi, në Filip Island, për garën e tretë nga fundi të Botërorit. Një kampionat më i paparashikueshëm se kurrë, me një betejë të ndezur për titullin. Në prag të fundjavës australiane, si zakonisht është zhvilluar edhe konferenca e zakonshme për shtyp e pilotëve.

“Është njësoj sikur të niste një kampionat i ri dhe dua të mendoj garë pas gare”, thotë Fabio Kuartararo, lideri i klasifikimit dhe njëkohësisht kampioni në fuqi i Moto GP-së.

Plotësisht në garë për titullin është edhe Françesko Banjaja: “Këtë vit mund të ndryshojë gjithçka. Momentalisht potenciali jonë është shumë i lartë dhe duhet ta shfrytëzojmë”, shprehet ndër të tjera italiani i Dukatit.

FABIO KUARTARARO – Tri gara nga fundi i sezonit, piloti i Yamahës kryeson renditjen me 219 pikë, 2 pikë më shumë se Françesko Banjaja, 20 pikë para Aleiks Espargaros, 39 pikë para Enea Bastianinit dhe 40 pikë para vendit të pestë që mbahet nga Xhek Miller. Për Kuartararon, mbi të gjithë duhet “fshirë” ajo paraqitje negative e garës së kaluar në Tajlandë.

“Në Buriram prisja një garë më të mirë, por bëmë një gabim që në nisje. Ishte një ditë e vështirë për mua”, ishin fjalët e para të “El Diablos” në konferencë.

Piloti francez tani kërkon në Filip Island reagimin dhe pikët, të cilat janë më të vyera se kurrë në këtë pikë të sezonit: “Jemi gati me pikë të barabarta me Pekon (Banjajën), por në garë janë gjithashtu edhe Aleiks Espargaro, Bastiani dhe Miller, pak më të shkëputur”, thotë Kuartararo.

Në Australi e panjohura mbetet koha, nëse do të garohet në pistë të thatë apo të lagur: “Në pistë të lagur gabuam në Tajlandë, por nuk jam i shqetësuar për këtë aspekt. Do të jemi gati dhe nëse do të na duhet të garojmë në shi”, thotë francezi.

FRANÇESKO BANJAJA – Vetëm 2 pikë larg vendit të parë, italiani i Dukatit shpreson që të marrë kreun në Australi: “Ashtu sikurse tha edhe Kuartararo, është sikur po fillojmë një kampionat të ri, me pesë pilotë në luftë për titullin, por unë edhe Fabio kemi më shumë mundësi. Këtë vit gjithçka mund të ndryshojë. Potenciali jonë në këtë moment është shumë i lartë dhe duhet që ta shfrytëzojmë”, deklaron Banjaja.

Australia është ndoshta cirkuiti më i mirë për pilotin italian për të tentuar marrjen e kryesimit: “Është e mrekullueshme të garosh këtu dhe jam gjithnjë i lumtur kur vij në Filip Island. Ndonëse është një fundjavë gare, nuk e di pse ndihem më i relaksuar. Në vitin 2019 në Australi ka qenë edhe paraqitja ime më e mirë dhe më ka pëlqyer shumë drejtimi, ndërsa tani jam përmirësuar edhe më tepër”, shprehet 25-vjeçari piemontez.