Bota

Nga Ukraina, sot largohen edhe tre anije me drithëra!

Edhe tre anije të mbushura me drithëra largohen sot nga Ukraina, në bazë të marrëveshjes së mbështetur nga Kombet e Bashkuara, për të rikthyer eksportet e drithërave e të produkteve bujqësore. Njoftimi vjen nga Ministria turke e Mbrojtjes, duke konfirmuar nisjen e mjeteve lundruese nga portet e Ukrainës, në Detin e Zi.

Edhe një anije pa ngarkesë pritet të niset drejt Ukrainës, pasi aktualisht po inspektohet në Stamboll. Zyrtarë turq zhvilluan bisedime me ministrat e Mbrojtjes dhe Infrastrukturës së Ukrainës lidhur me situatën rreth dërgesave të drithërave. Ky njoftim bëhet pasi anija e parë kaloi Stambollin që nga koha kur marrëveshja për eksportin e drithërave, u arrit më 22 korrik. Mjeti u nis nga porti ukrainas i Odesës më 1 gusht, me destinacion atë libanez të Tripolit.

Muajin e kaluar, Moska e Kievi arritën marrëveshje për rikthimin e eksporteve. Akordi u mundësua me ndërmjetësimin e Turqisë e të OKB-së dhe synon të zhbllokojë tre portet ukrainase, të bllokuara që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, më 24 shkurt të këtij viti. Marrëveshja kërkon që një ekip ndërkombëtar, i përbërë nga zyrtarë nga Turqia, OKB-ja, Rusia e Ukraina të mbikëqyrin inspektimet dhe kalimin e anijeve në Bosfor.

Moska pret verifikime të rrepta për të shmangur çdo mundësi që bashkë me drithërat, të transportohen armë të Perëndimit për Ukrainën. Përmes një deklarate, ky ekip bëri të ditur se “anija e parë lundroi me sukses” dhe se “marrëveshja ende po respektohet”. Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, bisedoi në telefon me shefin e OKB-së, Antonio Guterres, për zbatimin e marrëveshjes. Ankaraja zyrtare u mjaftua me këtë njoftim, pa dhënë detaje rreth diskutimeve, çka priten më vonë.