Bota

NSA-ja ka përgjuar politikanë europianë, edhe kancelaren Merkel!

Mediat daneze raportojnë se në vitet 2012-2014, Agjencia e Sigurisë Kombëtare Amerikane, NSA ka spiunuar politikanët në Europë, përfshirë kancelaren gjermane, Angela Merkel. Sipas tyre, “Spiunimi është bërë me ndihmën e Inteligjencës Daneze, bazuar në informacione të një hetimi të brendshëm. Raportohet se amerikanët përfituan nga një bashkëpunim vëzhgimi me Njësinë e Inteligjencës Ushtarake të Danimarkës.

NSA përdori kabllot daneze të informacionit për të spiunuar zyrtarë të lartë në Suedi, Norvegji, Francë e Gjermani, përfshirë kancelaren Merkel dhe ish-Ministrin e Jashtëm Gjerman, Frank-Walter Steinmeier.

Danimarka njihet si aleate e ngushtë e Shteteve të Bashkuara. Në territorin danez gjenden stacionet kryesore për kabllot nënujorë që bëjnë lidhjet me Gjermaninë, Norvegjinë, Suedinë, Holandën dhe Britaninë e Madhe.

Referuar të njëjtave burime, Ministrja e Mbrojtjes e Danimarkës, Trine Bramsen, e cila mori postin në qershor të vitit 2019, u informua për spiunimin në gusht të 2020-ës.

Përgjimi sistematik i aleatëve të ngushtë nuk është i pranueshëm!

NSA dhe Shërbimi Inteligjent i Mbrojtjes së Danimarkës nuk pranuan të komentojnë rreth çështjes.

Kancelarja gjermane u njoftua për pretendimet vetëm kur u pyet nga gazetarët e gjithashtu nuk pranoi të komentojë më shumë. Ministri i Mbrojtjes i Suedisë, Peter Hultqvist kërkoi informacion të plotë ndërsa homologu norvegjez, Frank Bakke-Jensen deklaroi se po i trajton me seriozitet akuzat.