Aktualitet Politikë

Pas takimit me Berishën, Meta: Kandidatët e Primareve, të mrekullueshëm!

Një ditë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, KQZ vendosi të njohë Partinë Demokratike me kryetar Lulzim Bashën për ta regjistruar në lokalet e 14 majit, por me plotësim dokumentacioni, sot Ilir Meta ishte në Selinë Blu. Pas një takimi me Sali Berishën, kreu i Partisë së Lirisë theksoi se “opozita është e bashkuar për ndryshim në zgjedhjet vendore të 14 Majit”. Sa i takon rezultateve të 14 majit për Këshillat Bashkiakë, Meta shprehu bindjen se shumica do të jenë të opozitës.

Të gjithë opozitarët janë bashkë për ndryshim. Kandidatët e Primareve janë të mrekullueshëm, të jashtëzakonshëm. E kam thënë dhe më parë, nga Tropoja deri në Sarandë, i konsiderojmë kandidatë dhe të Partisë së Lirisë. Shumica dërrmuese e Këshillave Bashkiakë do të jetë e opozitës së bashkuar.

Një ditë më parë, në një dalje për mediat, Ilir Meta u pyet nëse në takimin e 8 Marsit me ambasadoren amerikane, Yuri Kim u ushtrua presion mbi koalicionin me Berishën, në një kohë që ky i fundit është shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Numri një i Partisë së Lirisë mohoi çdo pikëpyetje lidhur me këtë çështje. Meta sqaroi se SHBA-të janë të interesuara për një opozitë të fuqishme dhe sistem funksional llogaridhënieje.

Marrëdhëniet e mia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të hapura dhe parimore. Nuk kam asnjë qëllim të ndikoj në vendimet e tyre, që janë përgjegjësi e tyre. Mora vendimet e mia, bazuar mbi parimet demokratike të Kushtetutës. Dhe vetë Kushtetuta na frymëzon, ajo amerikane. Asnjë lloj presioni, përkundrazi, kemi patur një bisedë tepër konstruktive. Shtetet e Bashkuara janë të interesuara për një opozitë sa më të fuqishme, që të funksionojë sistemi i llogaridhënies.