Art & Kulturë Bota

Pikturën origjinale e ndërron me një të rreme, milionat e fituara punonjësi i shpenzon për një Rolls Royce dhe…

Një punonjës gjerman i muzeut ndërroi një pikturë me një të rreme dhe më pas shiti origjinalin për të blerë mallra luksoze, duke përfshirë një Rolls Royce dhe orë dore të shtrenjta, sipas një gjykate të Mynihut.

30-vjeçari, i cili mbetet i paidentifikuar për shkak të ligjeve strikte të privatësisë në Gjermani, u dënua gjithashtu për vjedhjen e tre veprave të tjera të artit. Ai shmangu burgun, por iu dha një dënim me kusht 21 muaj dhe u urdhërua t’i kthente muzeut më shumë se 60,600 euro. Në një deklaratë për shtyp të botuar të hënën, Gjykata e Qarkut të Mynihut tha se dënimi i saj mori parasysh se burri kishte pranuar dhe treguar pendim për veprimin e bërë:

Ai tha se ka vepruar pa menduar. Ai nuk mund të shpjegojë më sjelljen e tij të gabuar.

Burri, i cili ishte punonjës i Muzeut Deutsches në Mynih, punoi në menaxhimin e koleksionit nga maji 2016 deri në prill 2018. Gjatë asaj kohe, ai vodhi “Das Märchen vom Froschkönig” (Përralla e Princit Bretkosë) nga Franz von Stuck, e zëvendësoi atë me një të rreme dhe e nxori origjinalin në ankand. Ai gënjeu një shtëpi ankandi në Mynih, duke thënë se piktura dikur i përkiste gjyshërve ose stërgjyshërve të tij.

Më vonë u shit në një galeri zvicerane për 70,000 euro dhe burri mori pothuajse 50,000 euro në para të gatshme, pasi tarifat e ankandit u zbritën.

Ai vodhi gjithashtu tre piktura të tjera nga depoja e muzeut dhe shiti me sukses dy prej tyre – “Die Weinprüfung” (Prova e verës) nga Eduard von Grützner dhe “Zwei Mädchen beim Holzsammeln im Gebirge” (Dy vajza që mbledhin dru në male. nga Franz von Defregger. Njëra prej veprave u shit përmes ankandit dhe tjetra u ble direkt nga shtëpia e ankandit, duke i dhënë atij 11,490 euro të tjera.

I pandehuri shfrytëzoi paturpësisht mundësinë për të hyrë në dhomat e magazinimit dhe shiti pasuri të vlefshme kulturore për të siguruar një standard të lartë jetese për veten dhe për t’u dukur.