Celebrities Film & Tv Showbiz

Publikohet traileri i dytë i ‘House Of Gucci’!

Këngëtarja  e  njohur Lady Gaga ka treguar një anë tjetër të sajën në trailerin e dytë zyrtar të filmit ‘House Of Gucci’.  Një anë komplet tjetër ku fokusi është më shumë tek vrasja. Klipi, i cili u publikua ditën e djeshme, u dha të gjithë shikuesve një paraqitje shumë të shkurtër të rolit të super yllit Lady Gaga, si Patrizia Reggiani në vitet pas martesës së saj me Maurizio Gucci-n, teksa ajo punëson një vrasës me pagesë për ta vrarë atë.

Ndërsa fansat shijuan trailerin e parë të House of Gucci pak kohë më parë, krijuesit së fundmi zbuluan edhe trailer-in e dytë që përshkruante një pamje emocionuese të portretizimit të Lady Gaga si Patrizia Reggiani.

Me regji të Ridley Scott, ‘House of Gucci’ është filmi i shumëpritur biografik, epik dhe dramatik i krimit i bazuar në librin e vitit 2001 ‘The House of Gucci: A Sensational Story of Murder’.

Data e publikimit të ‘House of Gucci’ është caktuar për 24 nëntor të vitit 2021 në Shtetet e Bashkuara, ndërsa premiera botërore do të mbahet në Muzeun e Akademisë së Filmit në Los Angeles. Filmi do të ndjekë historinë e vrasjes së Maurizio Gucci, kreut të shtëpisë së modës ‘Gucci’, nga ish-bashkëshortja e tij Patrizia Reggiani.

Anëtarët e kastit të filmit përfshijnë Lady Gaga si Patrizia Reggiani, Adam Driver si Maurizio Gucci, Jared Leto si Paolo Gucci, Salma Hayek si Giuseppina “Pina” Auriemma, Jack Huston si Domenico De Sole, Al Pacino si Aldo Gucci, Jeremy Irons si Rodolfo Gucci, Reeve Carney si Tom Ford, ndër të tjera.

Momenti kur u shfaq në internet traileri i dytë i ‘House of Gucci’, përshkallëzoi kureshtjen e fansave me performancën spektakolare të aktorëve, veçanërisht të Lady Gaga-s. Ndërsa traileri i parë jepte një përmbledhje të komplotit të filmit, i dyti i lë fansat ‘me dorë në zemër’ me një përshkrim të personazhit të Lady Gaga-s duke planifikuar vrasjen e burrit të saj. Videoja më tej i jep një këndvështrim tjetër aktorëve të tjerë të shquar që interpretojnë role të rëndësishme në film.