Botë e Çuditshme Tech

Sa më e gjatë se në Tokë është koha në Mars? Ora Omega X-33 Marstimer ju tregon gjithçka!

Njeriu nuk ka shkelur akoma në Mars, por kjo nuk e pengoi kompaninë Omega të zhvillonte një orë analoge/digjitale në bashkëpunim me Agjencinë Evropiane të Hapësirës (ESA) që tregon kohën në Tokë dhe Planetin e Kuq. Ora është një vazhdim i modelit të ngjashëm të quajtur ‘Skywalker’.

E quajtur zyrtarisht X-33 Marstimer, ora përmban një kronografi 45 mm që gjurmon kohën në të dy planetët duke marrë parasysh që koha në Mars është 39 minuta më e gjatë se në Tokë. Për t’i treguar përdoruesit dy zonat (kohore), ora ka simbolin e Planetit të Kuq kur është në “Modalitetin Mars”.

Në modalitetin Mars, ora gjurmon Kohën e Koordinuar të Marsit (MTC) zonën kohore ku ndodhet “meridiani kryesor” i planetit të kuq dhe dy zona të tjera kohore marsiane. Ekziston gjithashtu një busull diellore për të gjetur veriun në Tokë dhe Mars. Omega X-33 Marstimer tashmë është i listuar në faqen e internetit të kompanisë dhe shitet për 6,400 dollarë.

Rikujtojmë se së fundmi, roveri Perseverance i NASA-s ka gjetur gurë në sipërfaqen e Marsit që përmbajnë molekula organike. Sipas ekspertëve të agjencisë amerikane të hapësirës, këta shkëmbinj me molekula organike mund të jenë një formë e mundshme e jetës, domethënë t’i atribuohen një substance ose strukture që mund të dëshmojë ekzistencën e një jete të kaluar në planetin e kuq, por ato mund të ishin prodhuar edhe pa pasur jetë.

Ndërkaq, oksigjeni për të marrë frymë në Mars mund të prodhohet në mënyrë të besueshme si ditën ashtu edhe natën dhe në çdo stinë të vitit. Këtë ka treguar eksperimenti Moxie në bordin e Roverit të NASA-s Perseverance. Që nga zbarkimi në Planetin e Kuq në shkurt 2021, Moxie ka qenë në gjendje të nxjerrë oksigjen nga atmosfera marsiane në të gjitha kushtet, duke arritur qëllimin për të prodhuar 6 gramë në orë, aq sa mundet një pemë e vogël në Tokë.