Tech

Samsung njofton për rritje të fitimeve!

Samsung Electronics pret që fitimet e kompanisë në tre muajt e parë të vitit 2024 të tejkalojnë për 10 herë ato të vitit të kaluar. Kompania është optimiste për rritjen e të ardhurave pasi çmimet e çipave janë rikuperuar nga rënia pas pandemisë dhe kërkesa për produkte me Al është rritur. Samsung me bazë në Korenë e Jugut është prodhuesi më i madh në botë i çipave, telefonave dhe televizorëve.

Gjiganti teknologjik vlerëson se fitimi i tij operativ vetëm gjatë tre mujorit të parë të këtij viti është rritur në 4.9 miliardë dollarë. Që këto fitime të jenë aq të larta thuhet të ketë ndikuar rikthimi i çipave në tregun global, pasi kërkesa për furnizim me ta mbetet e madhe.

Por, tërmeti që goditi së fundmi Tajvanin, mund të ndikojë edhe në furnizimin global me çipa. Megjithatë, kompania pritet të rrisë të ardhurat edhe nga shitja e serisë së re Galaxy S24. Samsung kishte ndaluar për një kohë përdorimin e çipave të tij Exynos, duke i zëvendësuar ata me Snapdragon të Qualcomm. Në përpjekje për të rikthyer çipat e saj, kompania Samsung, vetëm gjatë tre muajve të fundit të vitit 2023, ka pajisur me Exynos 13 milionë telefona.

Sipas mediave të huaja, Samsung ka shpenzuar 8.87 miliardë dollarë për blerjen e çipave të tjerë gjatë vitit 2023. Kështu që kompania beson se mund të ulë kostot e shpenzimeve dhe të rrisë fitimet nëse fillon t’i pajisë produktet me çipat e saj. Gjithashtu, ajo po planifikon të investojë para në Exynos për t’i bërë ata më konkurrues duke rritur performancën dhe efikasitetin e tyre. Bëhet e ditur se të fuqizuar me çipin Exynos janë edhe seria e fundit Galaxy S24 dhe Galaxy S24+ në të gjitha tregjet, përveç SHBA-së dhe Kinës.