Aktualitet

Shoferë të dehur e pa patentë, 19 të arrestuar në një javë!

Në këtë javë që po lemë pas, Policia Rrugore ka arrestuar 19 drejtues për drejtim mjeti në gjendje të dehur e në mënyrë të parregullt, duke shkaktuar aksident me pasoja për jetën, si edhe pa patentë. Po ashtu, u kapën dy persona të shpallur në kërkim nga Policia Rrugore e Tiranës.

U pezulluan 172 leje drejtimi, të ndara sipas shkeljeve:

21 raste për shkelje për drejtimin e mjetit nën ndikimin e alkoolit, 123 për shpejtësi mbi normat e lejuara dhe 28 raste për shkelje të tjera të Kodit Rrugor, që parashikohen me sanksion plotësues e pezullim të lejes së drejtimit.

Policia Rrugore ka hequr dhe sekuestruar 31 targa, të cilave u kishte skaduar afati apo që nuk i takonin mjetit ku ishin vendosur. Për gara shpejtësie u ndëshkuan 28 shoferë, të konstatuar nga grupet e kontrollit, me mjete të paloguara.

Janë vendosur 5032 masa administrative, me një mesatare 719 masa në ditë, këto të ndara sipas shkeljeve:

21 masa për drejtim e makinës nën ndikimin e pijeve alkoolike, 123 për shpejtësi tej normave të lejuara/gara shpejtësie, 205 masa për parakalime të gabuara, 364 për përdorim të aparatit të celularit, 355 se nuk kishin rripin e sigurimit, 89 se lëviznin pa kaskën mbrojtëse, 2207 për qëndrime të gabuara, 40 gjoba për siguracion, 1478 masa të ndryshme.

U tërhoqën 57 leje qarkullimi për mospagim detyrimesh dhe janë bllokuar 15 mjete nga të cilat: 9 për moslikuidimin e gjobave, 6 me targa të huaja dhe mjete luksi, të cilat u shoqëruan në Komisariatin Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, për verifikim nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë. Policia Rrugore tërhoqi 16 targa të huaja se nuk i përkisnin mjetit ose janë të çregjistruara në vendet e origjinës.

Në të gjitha rrugët e kryeqytetit dhe interurbane që lidhen me Tiranën, janë shtuar monitorimet duke përdorur radarët, dragerat, kamerat e aparatë fotografikë, me qëllim evidentimin dhe ndëshkimin e atyre drejtuesve që abuzojnë.