Bota

Sulmet ruse në Odesë shtrenjtojnë grurin!

Çmimet e grurit u rritën sot ndjeshëm, pasi raketat ruse goditën qytetin-port të Odesës gjatë fundjavës, pavarësisht pretendimeve nga Kremlini se këto sulme kishin si shënjestër infrastrukturën ushtarake dhe se nuk kanë prekur eksportet e drithërave të Ukrainës.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi:

Dy raketa të llojit Kalibr kanë goditur në afërsi të një stacioni pompimi në portin e Odesës dhe është shënjestruar vetëm infrastruktura ushtarake, që nuk është e lidhur me marrëveshjen e eksportit të drithërave që u arrit më 22 korrik në Stamboll nga Rusia, Ukraina, Kombet e Bashkuara dhe Turqia. Kjo nuk mund dhe nuk duhet të prekë nisjen e dërgesave.

Megjithatë, çmimet e grurit në Bordin e Tregtisë së Çikagos u rritën për pothuajse 4 për qind ditën e sotme, përkatësisht në 7.86 dollarë për shinik.

Ukraina është një prej eksportuesve më të mëdha në botë të grurit, misrit dhe vajit të lulediellit, por pushtimi rus i këtij vendi, si dhe bllokimi i porteve detare ukrainase, kanë ndërprerë dërgesat e drithërave.

Këto bllokada kanë rritur çmimet botërore të ushqimeve, duke vënë në rrezik urie banorët e shteteve të varfra dhe duke rritur shqetësimet për trazira shoqërore.

Marrëveshja parasheh hapjen e tre porteve në Detin e Zi për eksportet e drithërave dhe pritet të jetë në fuqi për 120 ditë. Sipas akordit, synohet që eksporti i drithërave të arrijë në 5 milion tonë në muaj.