Aktualitet Bota Sociale

Tajvani sërish detekton balona kinezë!

Dy balonë kinezë fluturuan në veri të Tajvanit, tha Ministria e Mbrojtjes tajvaneze, përderisa Kina ka rritur presionin ndaj ishullit vetëqeverisës, që pretendon se i përket, para zgjedhjeve presidenciale të janarit.

Balonët kaluan në Ngushticën e Tajvanit që ndan ishullin nga Kina dhe u detektuan të dielën rreth 204 kilometra në veriperëndim të qytetit-port të Kilungut, tha Ministria.

Kjo është hera e dytë gjatë këtij muaji që Tajvani raporton për balona kinezë afër territorit të tij, pasi një balon kishte kaluar në Kilung më 7 dhjetor.

Potenciali i Kinës për të përdorur balona të motit për të spiunuar qeveritë e tjera u vu në fokus më herët gjatë këtij viti, kur Shtetet e Bashkuara rrëzuan një balon të dyshuar spiunazhi të Kinës mbi Oqeanin Atlantik, veprim që nxiti zemërim në Kinë.

Ministria e Mbrojtjes së Tajvanit nuk tregoi nëse dyshon që balonat janë përdorur për spiunazh. Ndërkaq, Ministria e Jashtme e Kinës nuk ka komentuar këto pretendime tajvaneze.

Taipei po përgatitet të mbajë zgjedhjet presidenciale më 13 janar. Kandidati kryesor në zgjedhje është zëvendëspresidenti William Lai. Ai është kritikuar nga Pekini dhe Kina e ka cilësuar atë si “separatist”.

Tajvani u nda nga Kina gjatë luftës civile më 1949, por Pekini vazhdon të pretendon se ishulli prej 23 milionë banorësh është territor kinez, duke mos përjashtuar as përdorimin e forcës që ta rimarrë atë.